Njësia e Mbrojtjes së Afërt - Foto: KALLXO.com

Superaksionet e policisë në video

Në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ këtë të premte u publikua përmbledhja e aksioneve më të mira të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2018. Aksione këto të cilat u zhvilluan kundër krimit, drogës dhe korrupsionit.

‘Drejtësia në Kosovë’ solli në kujtesë aksionin nga ushtrimet e Njësisë për Mbrojtje të Afërt, bashkë me detajet se si u planifikua dhe si u realizua mbrojtja e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe liderëve shtetërorë në ditën e shpalljes së Pavarësisë 10 vjet më parë.

Në arsenalin e trajnimeve dhe analizave inteligjente Njësia nuk mund të garantojë siguri pa armët e zjarrit.

Në arsenalin e Njësisë siç transmetoi Drejtësia në Kosovë në rubrikën e rregullt “Policia” janë armët standarde por gjithmonë ekziston edhe diçka që për publikun mbahet sekret.

Rubrika ‘Policia’ gjatë vitit 2018, ka sjellë për së afërmi mënyrën e zhvillimit të aksioneve të Njësisë për Mbrojtje të Afërt që nga nisja në stacionin policor e deri në arritjen në lokacionin e dëshiruar.

Në filmimet ekskluzive ‘Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar edhe reportazhin nga aksioni i Njësisë së Antidrogës në rrethin e Prishtinës, ku ishin arrestuar disa persona dhe konfiskuar disa kilogramë drogë.

Aksioni në të cilin kanë marrë pjesë edhe Njësitë Speciale është filmuar i tëri që nga nisja në qendër të Prishtinës e deri në malet e Gollakut ku dyshohej se droga ishte fshehur në një fermë kafshësh.

Siç shihet në videon e transmetuar, Specialët dhe Antidroga e kishin ndjekur për dhjetëra metra në male njërin nga të dyshuarit, i cili ka tentuar ta hedhë drogën në shkurre.

Nga malet ku janë konfiskuar narkotikët aksioni kishte vazhduar në një lagje të Prishtinës, ku është konfiskuar një çantë me gjysmë kilogrami drogë dhe ishte arrestuar njëri nga dilerët.

Përveç atyre për substanca narkotike, bastisje kishte pasur edhe në lokale.

Në komunën e Prizrenit këto bastisje u kryen në kafene dhe bare nate. Policia arrestoi disa persona si të dyshimtë, pas gjetjes së substancave narkotike dhe armëve.

Bastisja e lokaleve kishte vazhduar edhe në Gjakovë, ku policët u njoftuan në stacion se do të kontrollohen pas mesnatës dy lokale në Çarshinë e Vjetër.

Pas bastisjeve në dy lokalet, policia arrestoi tre persona, gjeti drogë të llojeve kokainë dhe marihuanë dhe armë të ftohta.

Në aksionin tjetër, njësitet policore në Pejë kishin njoftuar ato në Prishtinë se një i dyshuar i cili banonte në kryeqytet, në banesën e tij mbante substanca narkotike. Pas bastisjes në banesën e të dyshuarit, Policia kishte konfiskuar 11 kilogramë substanca narkotike.

Në rubrikën “Policia” e cila transmetohet në kuadër të emisionit “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan gjithashtu pamjet ekskluzive të arrestimit dhe planit të prokurorisë për një polic nga Ferizaj i cili ishte i lidhur me një rrjet që po merrej me shpërndarje të drogës.

Në pamjet ekskluzive shihej se si policia kishte marrë informacion se polici kishte marrë porosinë e po kthehej nga Shqipëria. Inspektorati Policor i Kosovës së bashku me njësitin e antidrogës reaguan menjëherë pas arritjes së policit në pikën kufitare. Policia arriti që të gjej një sasi prej gjysmë kilogrami të kokainës në trupin e policit.

Rubrika ‘Policia’ gjatë vitit që e lamë pas transmetoi edhe aksionin e Policisë për një urdhër arrest ndërkombëtar i cili ishte pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në të cilin thuhej se një person shtetas i Gjermanisë i cili po kërkohej nga INTERPOL dyshohej se po qëndronte në Kosovë.

Pamjet e shfaqura ekskluzivisht në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, treguan se si njësia FAST e cila merret ekskluzivisht me rastet të ngjashme dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë arrijnë të identifikojnë dhe të arrestojnë të kërkuarin e INTERPOL-it.

Policia e Kosovës në disa pika kontrolli kishte arritur të konfiskonte katër armë në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë. Dhe nga katër armët e konfiskuara, njëra nga to i takonte edhe një ish-deputeti të Kuvendit të Kosovës nga Dukagjini.

Në veturën e parë policia konfiskoi një armë e cila po mbahej në një qante dore nga vozitësi, në veturën e dytë siç mund të shihet edhe në pamje policia konfiskon një armë me 14 fishekë.

Në veturën e ish-deputetit, policia kishte arritur që të konfiskojë një armë për të cilën ai e kishte me leje të skaduar të posedimit. Dhe në veturën e katërt policia konfiskoi një armë tjetër me gjashtë fishekë.

Pamjet ekskluzive të shfaqura në rubrikën “Policia”, tregojnë edhe momentin e arrestimit të të dyshuarve për armëmbajtje pa leje deri sa shoqërohen në stacionin policor.