Pamje nga tryeza e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike - Foto: KALLXO.com

Sundimi i Ligjit, Sfidë në Rrugën Evropiane të Kosovës

Zbatimi i ligjit dhe reformat në sistemin e drejtësisë janë sfidat e Kosovës në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), u tha sot në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) .

Në këtë diskutim iu bë analizë kërkesave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), sidomos zbatimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore, hetimi i rasteve të pastrimit të parasë, etj.

Sevdije Morina, zëvendëskryeprokurorja e Shtetit tha se Prokuroria e Shtetit përkundër problemeve po punon mjaft shumë në reformimin e sistemit të drejtësisë.

“Prokurori i Shtetit i ka marrë shumë seriozisht obligimet që dalin nga MSA-ja dhe është përpjekur që resurset e brendshme t’i organizojë në atë mënyrë që të raportojë sa më drejtë të arriturat në këtë drejtim përkundër ballafaqimit me sfida serioze në zbatimin e këtyre detyrimeve si rezultat i mungesës së buxhetit, si rezultat i numrit jo të mjaftueshëm të prokurorëve dhe kushteve jo tërësisht adekuate infrastrukturore”, tha ajo.

Pjesë e panelit ishte edhe ambasadorja holandeze në Kosovë, Gerrie Willems, e cila tha se duhet fokusuar kryesisht në zbatimin e ligjit, në demokraci dhe në të drejtat thelbësore.

“Zbatimi i ligjit është parim ligjor, pra ai duhet të qeverisë kombin dhe askush nuk është mbi të dhe ky është dimensioni kyç që përcakton cilësinë e qeverisjes së mirë të një vendi”, tha ajo.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hyri në fuqi më 1 prill të këtij viti dhe është proces që rezulton në marrëdhënie më të mira tregtare, por që fokusohet në reformimin jo vetëm të fushave që do mundësojnë tregtinë e lirë me BE-në dhe rajonin, por edhe fushat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, dialogun politik rajonal, drejtësinë dhe punët e brendshme.

Redaktoi: Naser Sertolli