Sulmuesi i xhamisë në Zelandën e Re është 'frymëzuar nga nacionalistët e Ballkanit'

Sulmuesi që vrau 49 persona në dy xhami në qytetin Christchurch në Zelandën e Re besohet të jetë një admirues i nacionalistëve të Ballkanit pasi ai kishte dëgjuar një këngë që nderon Radovan Karaxhiq përpara se të kryente sulmin.

Një përdorues në Facebook me emrin Brenton Tarrant – njeriu që thuhet se vrau dhjetëra njerëz në dy xhami në Christchurch të premten në mëngjes, postoi fotografi të simboleve nacionaliste të Ballkanit në internet dhe një deklaratë që kritikon përfshirjen e ShBA-së në Kosovë.

Po ashtu edhe një video që tregon se para se ta kryente sulmin, sulmuesi dëgjoi një këngë që nderon udhëheqësin serb të luftës në Bosnje, Radovan Karaxhiq, për të cilin vendimi përfundimtar për gjenocid dhe krime të luftës do të shpallet javën e ardhshme.

Përpara se të kryente vrasjet, përdoruesi i llogarisë së Brenton Tarrant postoi një “manifest” prej 73 faqesh, i cili thoshte se motivi i sulmit ishte “të krijonte frikë” dhe përfshinte fjalimin anti-emigrant të urrejtjes, bënte thirrje për vrasje të myslimaneve dhe përfshinte retorikën e bardhë supremaciste.

Teksti gjithashtu përmbante një seksion rreth konfliktit në Kosovë.

“Ballkanizmi gjithashtu do të zvogëlojë aftësinë e ShBA-së për të projektuar fuqinë globale dhe në këtë mënyrë të sigurojë që kurrë më mos të ndodhë një situatë e tillë si përfshirja e ShBA-së në Kosovë (ku forcat e ShBA / NATO-s luftuan përkrah myslimanëve dhe masakruan evropianët e krishterë duke u përpjekur për të larguar pushtuesit islamik nga Evropa)”, tha ai.

NATO ka udhëhequr operacionet paqeruajtëse në Kosovë që nga qershori 1999 pas fushatës së saj të sulmeve ajrore për t’i dhënë fund fushatës ushtarake të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës.

Fotografitë që tregojnë armatime të përdorura gjatë të shtënave kishin të shënuar emrin e kreut ushtarak malazez, Marko Miljanov Popoviq, i cili udhëhoqi klanin e tij në luftën kundër Perandorisë Osmane.

Armët mbanin gjithashtu emrin e Bajo Pivljanin, një komandant i cili gjithashtu luftoi kundër Perandorisë Osmane në Bosnje dhe Mal të Zi.

Një tjetër emër i shënuar nëpër armë  ishte edhe ai i Novak Vujoseviq, i cili luftoi në anën e Malit të Zi në betejën e Fundinës kundër forcave të Perandorisë Osmane.

Deri më tani Policia e Zelandës së Re ka arrestuar katër persona në lidhje me sulmin.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ditën e sotme e quajti si “ditë më të errët të Zelandës së Re”, ajo sot në mëngjes tha se “shumë njerëz të prekur nga ky akt i dhunës ekstreme do të jenë nga komuniteti ynë i refugjatëve dhe emigrantëve”.