Foto-ilustrim

Sulmohet Koordinatori i Panelit për Lirim me Kusht

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me anë të një reagimi ka thënë se e dënon ashpër sulmin nda Durakut.

“KGjK-ja dënon ashpër sulmin fizik ndaj Durakut duke konsideruar të njëjtin si sulm ndaj sistemit gjyqësor dhe profesionit të Koordinatorit si pjesë e sistemit të drejtësisë të përcaktuar me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e KGJK-së.

Sipas KGjK-së, sulmin e kanë shkaktuar disa qytetarë.

“Është për keqardhje se si sulmohen institucionet e Kosovës e në veçanti zyrtarët të cilët e kryen punën e vet me nder e përgjegjësi për çka edhe janë të emëruar”, thuhet më tutje në reagim.

KALLXO.com mëson se Bedri Duraku është sulmuar dje nga katër persona në momentin kur ai po dilte nga zyrat e tij të punës. Nga ky sulm, ai ka marrë lëndime në sy dhe në gjymtyrë.

KGjK, me anë të reagimit ka kërkuar nga organet e zbatimit të ligjit që të marrin të gjitha masat për të zbardhur rastin e aktit, ku KGJK-ja e ka cilësuar ‘qyqarë’ dhe që kryesit të vihen para organeve të drejtësisë.

“KGjK- ja, kërkon nga të gjitha institucionet relevante të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, që të ndërmarrin masat ligjore preventive në mbrojtjen dhe në krijimin e sigurisë për zbatuesit e ligjit në Kosovë duke inkurajuar të gjithë zyrtarët e drejtësisë që të vazhdojnë me përkushtim që të kryejnë punën e tyre të garantuar me legjislacionin vendor dhe konventat ndërkombëtare”, thuhet në fund të reagimit.