Ismajl Kurteshi - Foto: Facebook

Sulmohet Deputeti Ismajl Kurteshi

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sonte rreth orës 20.00, persona të panjohur kanë sulmuar me gurë, vezë dhe shishe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshin, kandidatin për kryetar të Shtimes Ruzhdi Jasharin dhe disa aktivistë dhe simpatizues.

Sipas VV-së, ata u sulmuan pas përfundimit të tubimit të këtij subjekti në fshatin Carralevë, “që qëllon të jetë dhe fshati i kryetarit aktual të Komunës së Shtimes”.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Arbër Krasniqi, ka marrë lëndime nga sulmi që është kryer sipas VV-së në prani të zyrtarëve të Policisë.

Vetëvendosje fton organet ligjzbatuese që të ndërmarrin urgjentisht veprime për zbulimin dhe dënimin e sulmuesve.

“Këto sulme që shpërfaqin panikun e pushtetit lidhur me fuqizimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Shtimes dhe kudo në Republikën e Kosovës nuk do të mund ta ndalin vullnetin popullor për ndryshimin e madh politik, të filluar më 11 qershor dhe që do të masivizohet edhe më shumë në rezultatin e zgjedhjeve të 22 tetorit”, thuhet në reagimin e këtij subjekti.