Zyra e Presidencës në Kuvend

Sulmohen Zyrat e Presidencës së Kosovës

Lajmin për KALLXO.com  e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florie Ahemti.

“Rreth orës  4:00  të mëngjesit është sulmuar Zyra e Presidencës së Kosovës. Policia ka dalë në vend të ngjarjes dhe është duke u marrë me hetimet,” tha Ahmeti.

Xhamat e kësaj zyreje në ndërtesën e Kuvendit janë thyer. Ahmeti nuk dha detaje në lidhje me dëmtimet që janë shkaktuar.

“Policia Ka hapur rastin e shkaktimit te rrezikut te përgjithshëm dhe asgjësimit ose dëmtimit të pasurisë,  dhe hetimet janë duke vazhduar nga ekipet në teren,” tha ajo.

Sipas Florie Ahmetit ende nuk ka të dyshuar në lidhje me rastin.

Në një njoftim për medie policia jep edhe informata shtesë për sulmin.

“Me datën 12.03.2016 rreth orës 04:00 është raportuar se disa persona te dyshuar te maskuar kanë hedhur koktej molotov ne drejtim të ndërtesës presidenciale. Personat e  dyshuar pas hedhjes së koktej molotovit  dyshohet se janë larguar në drejtim të rrugës Agim Ramadani me një veturë ngjyrë të bardhë,” thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se sulmuesit i kanë thyer xhamat e Zyrës së Presidencës dhe pastaj kanë tentuar ta hedhin brenda shishen me koktej molotovi.

“Fillimisht dyshohet se me gurë e kane thyer xhamin e dritares ku kanë tentuar që ta hedhin shishen e molotovit, çka nuk kanë arritur pasi qe shishja është goditur në mur ku shihet një sipërfaqe e murit rreth një metër e nxirë me rastin e thyerjes se shishes, ku derivatet janë djegur në atë pjesë të murit,” vijon njoftimi.

Policia njofton se “nuk raportohet për persona te lënduar”.

presidenca11

presidenca 5