
Lajmi i Fundit Policia
Plagosja në Pejë vetura e djegur dërgohet në ekzaminim
31 12 2018 12:24
Prokurorja e cila po heton rastin e plagosjes së mbrëmshme ku u plagos Besim Lajqi ka konfirmuar për KALLXO.com dyshimet se dorasit e kanë djegur veturën e tyre pak minuta pas sulmit.
Vetura e cila u gjend duke u djegur tashmë është dërguar në ekzaminim” ka thënë prokurorja Sahide Gashi.
Nga kjo veturë besohet se është qëlluar në drejtim të Besim Lajqit e Xhevdet Kelmendit.
31 12 2018 11:51
Prokuroria Themelore në Pejë do të kërkoj ekzaminimin e të gjitha kamerave ku mund të kenë kaluar të dyshuarit për plagosjen e mbrëmshme. Besim Lajqi mbeti i plagosur mbrëmë në Pejë në kohën kur ishte në shoqërimin e Xhevdet Kelmendit njërit nga pjesëtarët e familjes Kelmendi nga Peja.
Zëdhënësi i prokurorisë së Pejës Shkodran Nikqi ka thënë për KALLXO.com se për zbardhen e këtij rasti prokuroria ka urdhëruar mbledhjen e fillimeve nga kamerat e qytetit.
“Prokuroria Themelore e Pejës inkurajon të gjithë qytetaret që kanë informata, rreth këtij rasti të bashkëpunoj me institucionet ndjekëse duke ju garantuar konfidencilaitet të plotë rreth kësaj çështje” ka thënë Nikqi.
00: 02
Pak qaste pas ngjarjes në Pejë ku mbeti i plagosur Besim Lajqi prokurorja e cila po e heton rastin ka folur për KALLXO.com.
Ajo ka konfirmuar se së bashku me Lajqin ishte Xhevdet Kelmendi njëri nga pjestarët e familjes Kelmendi nga Peja. Gashi ka thënë se supozimet e para të prokurorisë janë që Kelmendi ka qenë cak i sulmit.
“Unë po supozoj që ai ka qene cak i sulmit ende nuk kam të dhena te sakta por supozimet tona qojnë në ate drejtim” ka thënë Gashi. Ajo ka treguar se ndaj dy udhëtarëve është shtënë me kallashnikov ndërsa personi i plagosur është duke u trajtuar në spital.
23:52
Njëri nga pjestarët e familjes Kelmendi, Xhevdet Kelmendi, ishte duke e shoqëruar të plagosurin e sontëm në Pejë.
KALLXO.com mëson se Kelmendi së bashku me të plagosurin Lajqi ishin futur në një market në lagjen ku ndodhi incidenti ndërsa pasi kishin dalë nga aty derisa po voziteshin me makinë janë qëlluar nga një makinë në lëvizje.
I plagosur ka mbetur Besim Lajqi ndërsa Kelmendi nuk është lënduar, kanë thënë burime nga Prokuroria.
Ersan Qavolli prokuror nga Peja ka konfirmuar për KALLXO.com këtë version të ngjarjes.
“I plagosuri B.L. ka qenë në shoqëri të Xh.K. në momentin kur ndaj makinës së tyre është shtënë me armë zjarri”, ka thënë Qavolli.
Ai ka shtuar se prokurorja e rastit ka vizituar vendin e ngjarjes dhe të plagosurin në Spitalin e Pejës.
23:30
Policia e Pejës është vënë në kërkim të personave të dyshuar për rastin e plagosjes që ndodhi sonte në Pejë.
Sipas zëdhënësit të Policisë, Xhevat Ibraj, rreth orës 22 :00 Policia ka marrë informacion për të shtëna me armë zjarri nga dy vetura në levizje.
“Njësitet porlicore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë hasur në një veturë në të cilën ndodheshin dy persona, shoferi i cili ishte i plagosur dhe pasagjeri. Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur gëzhoja. Sipas informatave të para, i plagosuri i cili është dërguar në Spitalin rajonal në Pejë është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Ibraj për KALLXO.com.
“Ndërsa të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe janë në kërkim nga Policia”, shtoi ai.
23:13
Gazetari i KALLXO.com sjell fotografitë e para nga vendi ku ndodhi plagosja e para pak çasteve në Pejë.
Një person është plagosur sipas Policisë në këtë incident.
I plagosuri është dërguar në Spitalin e qytetit.
Policia e Pejës e ka konfirmuar incidentin me armë zjarri në Pejë.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Pejës, Xhevat Ibraj, një person është plagosur dhe ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Sipas mjekëve kujdestarë, personi i plagosur është jashtë rrezikut për jetën”, tha Ibraj për KALLXO.com
Njësitet e Policisë janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin.
23:05
Një përleshje me armë zjarri ka ndodhur para pak minutash në Pejë.
Burime të KALLXO.com thonë se ka pasur të shtëna, e me gjasë ka edhe të plagosur të cilët janë dërguar në spital.
Incidenti ka ndodhur te Parku i Vogël.
Nuk dihet ende kush është i përfshirë në këtë përleshje.