Sulmet në Zelandën e Re: Urdhërohen hetime të nivelit më të lartë

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, urdhëroi hetime të nivelit të lartë për sulmet në dy xhami të qytetit Kristçërç, që lanë të vrarë 50 njerëz.

Ajo tha se komisioni mbretëror do të shqyrtojë nëse policia dhe shërbimet e inteligjencës kanë mundur të bëjnë më shumë për të parandaluar të shtënat e 15 marsit.

Sipas ligjit në Zelandën e Re, komisioni mbretëror është niveli më i lartë i hetimeve të pavarura.

Ardern tha se ky komision do të dalë me një raport gjithëpërfshirës.

“Është e rëndësishme që asnjë gur të mos mbetet pa u lëvizur, për të kuptuar se si ka ndodhur ky akt terrorizmi dhe si kemi mundur ta parandalojmë atë”, tha Ardern për gazetarët në Uellington.

Australiani Brenton Tarrant, 28 vjeç, i vetëpërshkruar si supremacist i bardhë, u akuzua për vrasjet në xhami.

Ai do të paraqitet në gjykatë më 5 prill.

Kryeministrja Ardern e përjashtoi mundësinë e rikthimit të dënimit me vdekje në gjykim.

Ajo mori vendim, javën e kaluar, që Zelanda e Re t’i ndalojë të gjitha llojet e armëve gjysmë-automatike dhe pushkët me shënjestrim.