Sukseset e filmit kosovar të metrazhit të shkurtër

Triumfi i filmit artistik të metrazhit të shkurtër, “Gardhi” me regji të Lendita Zeqiraj në festivalin Hamptons Film Festival në SHBA, dy ditë më parë, por edhe sukseset e filmit “Ajo” në festivalet e filmit jashtë vendit të More Raçës, po krijojnë një shans mjaft serioz që Kosova të ketë një film të metrazhit të shkurtër në garë për çmimin e OSCAR-s në edicionin e ardhshëm.

Megjithëse ka mbetur edhe një rrugëtim goxha i gjatë, jo vetëm për këta dy filma për të arritur nominimet për çimet më prestigjioze në kinematografinë botërore.

Prodhimi i filmit të shkurtër artistik në vend është rritur viteve të fundit, dhe një nga arsyet për këtë është pikërisht kostoja e vogël për realizim.

Por, përveç produksionit në rritje ky zhanër ka shtuar edhe sukseset në festivalet e ndryshme të filmit në mbarë Evropën dhe më larg.

Për kineastët tanë suksesi i filmave të metrazhit të shkurtër kosovarë në arenën ndërkombëtare lidhet me nivelin artistik, realizimin dhe para së gjithash tematikën e trajtuar.

Në disa raste edhe bashkëpunimet ndërkombëtare dhe kooproduksionet janë treguar shumë të qëlluara për regjisorin Mahir Musliu, i cili ka potencuar për Kallxo.com se filmi i metrazhit të shkurtër punohet në masë me të madhe nga kineastët  dhe pastaj krijohet mundësi përzgjedhjeje.

Sipas tij, kostoja buxhetore e tyre është me e ulët dhe nuk mbeten hapësira të paplotësuara për mungesë mjetesh.

Ai ka thënë se arritja në këtë kategori përshkohet nga cilësia dhe efekti artistik e ideor, si në përmbajtje ashtu dhe në vlera universale që do të sjell një film.

“Duke u bazuar nga vitet tjera, jemi dëshmitar se edhe ky festival kalon nëpër ngjarje e ndodhi që janë koherente në botë. Pra lufta kundër terrorizmit, drogës, shkelja e të drejtave të njeriut në botë dhe shumë tema të tjera që përmes personazheve krijojnë imazhe idealiste”, ka thënë Musliu.

Kështu shton ai, nëse në ekran dhe shirit filmik do të arrihen të përmblidheshin këso tema të përkthyera në mënyrë estetike në ekran, suksesi nuk do të mungojë.

Regjisori Ben Apolloni, ka pohuar për Kallxo.com se ajo që i bën filmat e shkurtër të prodhuar në Kosovë, të suksesshëm në prezantimet e tyre nëpër festivale jashtë vendit, është se janë atraktiv sa i përket temës dhe të realizuar mirë.

Regjisori Apollini ka thënë se është për t`u vlerësuar, suksesi i filmave kosovarë, sidomos filmi i Lendita Zeqirajt, “Gardhi”, në festivale ndërkombëtare që sipas tij, ndikon në zhvillimet kinematografike.

“Nuk e di nëse do të ketë ndonjë film që do të arrijë të nominohet për OSCAR, por uroj që kjo të ndodhë. Do të ishte një promovim i mirë i vendit tonë, i kinematografisë sonë të vogël”, ka thënë ai.

Kurse dramaturgu Naser Shatrolli ka potencuar për Kallxo.com, se filmi i shkurtër për nga natyra është formë dhe forma më lehtë për realizim dhe si e tillë mundësitë për të gjetur udhën e vet nëpër festivale që kanë peshë, nuk kanë munguar!

Në 2016, filmi “Shok” i u bë filmi i parë kosovar ndonjëherë i futur në OSCAR, në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, Live Action Short Film.

Nga 2014-ta Kosova ka të dejtë që për çdo edicion të propozojë një film të metrazhit të gjatë në garën për çmimin OSCAR, në kategorinë e filmit të huaj.