FOTO REL

Suharekasi shkon në Haxh për hallën(VIDEO)

Muhamet Veselaj nga Suhareka do të shkojë në Haxh për hallën e tij. Shkuarja e tillë njihet si bedel që do të thotë për një person tjetër nëse ai ose ajo është e i/e sëmurë, ose për ndonjë arsye tjetër nuk mund të udhëtojë në Haxh.

Muahmet Veselaj do të shkojë në haxh për herë të katërt. 64 vjeçari po shkon për hallën e tij ose bedel. Ajo është e sëmurë dhe nuk mundet të shkojë vetë. Bedel do të thotë shkuarja në Haxh për dikë tjetër.

“Është marrë shumë me mu, më ka rritur. Shpirtërisht kemi qenë të lidhur me të. Edhe për atë arsye kam vendosur në emër të Allahut me ia plotësu dëshirën e saj, sepse ajo e ka të pamundur për me e marrë këtë rrugë. Vitin e kaluar kam vendosur që nëse jemi me ymër, viti që vjen unë do të vendosi për këtë shpirt të shkoj të ia kryej Haxhin, me ia plotësu dëshirën e saj”, tha Veselaj.

Ai është shumë i lidhur me hallën e tij, e cila jeton në Prizren. Hysnije Dema tregon momentin kur kishte kuptuar që nipi i saj do të shkonte në Haxh për të.

“Këta(djemtë) janë të zënë me punë shumë dhe thashë se athua shkon ky për mua. Këtij nuk i është hequr nga mendja ky mendim dhe ka ardhur një ditë këtu dhe më tha ‘Dadë, atë fjalë që e ke folur, nëse e ke përnjëmend regjistrohu sa më herët sepse dikur plotësohet numri’. E ndjej veten shumë të kënaqur, të shkojë nuk munda por rendi po shkon”, tha Dema.

Shpenzimet janë paguar nga djali i saj Gazmend Dema, për t’ia plotësuar dëshirën nënës. Shkuarja në Haxh është njëra nga pesë shtyllat e Islamit, që çdo mysliman duhet t’i përmbushë.