Qyteti i Suherekës

Suhareka vonon realizimin e tri projekteve kapitale gjatë vitit 2018

Komuna e Suharekës ka vonuar realizimin e tri projekteve kapitale nga tetë sa kishte testuar auditori.

Auditori ka gjetur se Komuna ka vonuar realizimin e këtyre tri projekteve për shkak të mos analizimit të mirë të tyre.

Komuna e Suharekës ka vonuar për tetë muaj realizimin e kontratës “Instalimi dhe sanimi i ndriçimeve publike në Shirokë, Sopijë, Mushtisht, Bllacë, Studenqan dhe Samadraxhë”.

Sipas raportit të Auditorit kjo kontratë në vlerë 29 mijë e 277 euro, e nënshkruar në shtator të vitit 2017, neni 1 i kontratës, citon se punët do të përfundojnë brenda 30 ditësh, ndërsa kishin përfunduar në qershor të vitit 2018.

Auditori ka gjetur se ka pasur vonesë prej dy muajsh në kontratën për “Ndërtimin e rrugës Moholan – Stravuqin”-, e cila për faqen e parë ka pasur vlerën 7 mijë e 135 euro.

Kjo kontratë ishte nënshkruar në gusht të vitit 2018, neni 1 i kontratës, citon se punët do të përfundojnë brenda 60 ditë, ndërsa kishin përfunduar në dhjetor të vitit 2018.

Në raportin e Auditorit më tej thuhet se këto dy projekte ishin vonuar për shkak të mos pëlqimit të banorëve e që kishte shkaktuar probleme pronësore ndërmjet tyre.

“Sipas diskutimeve me organin mbikëqyrës këto kontrata nuk ishin realizuar me kohë për shkak se, para hartimit të projektit (paramasës) kryetarët e fshatrave nuk kishin marrë pëlqimin paraprak të banorëve, duke shkaktuar pastaj probleme pronësore nga ana e tyre”, thuhet në raport.

Ndërsa kontrata e tretë, të cilën Komuna e Suharekës e kishte vonuar realizimin e saj është ajo për “Ndërtimin dhe renovimin e objekteve sportive dhe kulturore”.

Kjo kontratë kishte pasur vlerën 47 mijë e 247 euro, ishte nënshkruar në maj të vitit 2018, ndërsa sipas nenit 1 të kontratës, ishte paraparë që plani dinamik i punëve të përfundonte brenda 60 ditë.

Për realizimin e kësaj kontrate Komuna kishte nënshkruar edhe një aneks kontratë në muajin në muajin korrik 2018, në nenin 2 të këtij aneksi citohet se punët duhet të përfundojnë brenda 15 ditëve.

Punët për këtë projekt kanë përfunduar në tetor, që do të thotë se kishte vonesa në realizim prej dy dy muajsh.

Në raport të auditorit thuhet se kjo kontratë ka vonuar në realizim për shkak të punëve shtesë, të cilat kanë dalë më pas “ndryshimeve të pozicioneve dhe për shkak të kushteve atmosferike”.

Sipas Auditorit mos realizimi në kohë i këtyre tri kontratave paraqet rrezikun e zgjatjes më tej të projekteve.

“Mund të rezultojë me dështim të projektit dhe mos arritjen e objektivave komunale, duke ndikuar në proceset buxhetore të projekteve tjera”, thuhet në raport.

Tutje Auditori i kishte rekomanduar kryetarit të komunës, Bali Muharremajt që të forcojë kontrollet e mbikëqyrjes së zbatimit të planeve dinamike dhe sipas kushteve të kontratës

“Kryetari duhet të ndërmerr masat për forcimin e kontrolleve lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të projekteve sipas planit dinamik dhe kushteve të kontratës, si dhe zgjidhjen e çështjeve pronësore dhe administrative (marrjen e lejeve përkatëse) para fillimit të punimeve, në mënyrë që mos të ketë ndërprerje të punimeve dhe projektet të realizohen sipas planit dinamik”, ka rekomanduar Auditori.

Komuna e Suharekës në lidhje me të gjeturat e raportit ka thënë se pajtohet dhe se nuk ka ndonjë koment shtesë rreth tij.