foto-ilustrim

Suhareka Nuk e Di Vlerën e Dëmeve Nga Vërshimet

Një prej komunave më të prekura nga vërshimet e javës së kaluar është edhe ajo e Suharekës.

Megjithatë, autoritetet komunale ende nuk kanë një bilanc përfundimtar për dëmet që janë shkaktuar nga përmbytjet në qytet dhe fshatra, sidomos pas daljes nga shtrati të lumit Toplluha dhe përroskave, si dhe zënies së gypave të kanalizimeve.

Zonat më të përmbytura rezulton të jenë ato që gjenden rreth lumit, sidomos lagjet e qytetit dhe fshati Studenqan. Vërshime më të theksuara janë regjistruar edhe në Sallagrazhdë, Semetisht dhe në rrugën “Xhavit Syla” të qytetit, e cila çon për në Reqan.

Sipas zyrtarëve komunalë, nga vërshimet e të mërkurës më të dëmtuara dolën tokat bujqësore.

Të hënën, komuna e Malishevës, më e dëmtuara nga vërshimet e javës së kaluar, doli me vlerësimin se dëmet e shkaktuara kapin shumën deri në 1 milion euro.

http://kallxo.com/1-milion-euro-deme-nga-vershimet-ne-malisheve/

Zëdhënësi i Komunës së Suharekës, Reshat Reshitaj, tha për KALLXO.com se është formuar një komision për vlerësimin e dëmeve dhe se anëtarët e tij janë vazhdimisht në terren.

Sipas zëdhënësit, komisionit do t’i duhen dy-tre ditë kohë për të bërë një vlerësim zyrtar për vlerën e dëmeve nga përmbytjet.

“Është formuar një komision për vlerësimin e dëmeve. Komisioni sot është në terren dhe sipas anëtarëve të tij duhen edhe dy-tre ditë kohë për të kuptuar vlerën e dëmeve”.

Sipas zëdhënësit, Komuna e Suharekës e ka një fond emergjent prej 20 mijë eurosh për këso rastesh dhe të gjithë të dëmtuarit do të kompensohen nga Komuna, edhe nëse dëmet janë më të mëdha se 20 mijë euro.

“Fatmirësisht, Komuna e Suharekës e ka një fond emergjent prej 20 mijë eurosh… Në rastet kur dëmet janë më të mëdha, Komuna do të bëjë përpjekje të gjejë fonde dhe t’i kompensojë fermerët e dëmtuar” ka theksuar Reshat Reshitaj.

Nga reshjet e dendura të shiut dhe shkrirja e borës, lumi Toplluha kishte dalë nga shtrati dhe kishte vërshuar tokat bujqësore. Dëmet materiale kanë pësuar edhe ekonomitë familjare në qytet.

http://kallxo.com/vershime-gjithandej-vendit/

http://kallxo.com/kosova-para-vershimeve-te-medha/