Sugjerimet amerikane nuk e bindin Prishtinën që ta pezullojë taksën

Sugjerimet amerikane se taksa doganore e vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, duhet suspenduar, për t’i dhënë rast vazhdimit të dialogut, nuk e kanë bindur kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn dhe Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrin një hap të tillë.

Përderisa presidenti Hashim Thaçi, por edhe përfaqësues të tjerë të lartë politikë, përfshirë edhe njërin nga liderët e opozitës, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kanë bërë thirrje që të dëgjohet sugjerimi amerikan, kryeministri Haradinaj ka përsëritur se nuk ka një ofertë bindëse që taksa të pezullohet.

Qëllimi final i taksës, sipas kryeministrit Ramush Haradinaj mbetet që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Me qëllim të shqyrtimit të vendimit për pezullimin e taksës dhe rifillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Prishtinë po qëndrojnë edhe zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pasditen e së enjtes, Ambasada e SHBA-së ka publikuar një deklaratë për takimin e së mërkurës të zëvendësdrejtorit të Lartë për Evropë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) John Erath, dhe drejtorit të NSC-së për Çështje Evropiane, Brad Berkley me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Në deklaratën e Ambasadës thuhet se: “Mysafirët erdhën për të përforcuar porosinë e Presidentit Trump “për të zënë këtë moment unik … dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e një marrëveshjeje më të vështirë”.

Ndër të tjera në deklaratë theksohet se mysafirët përsëritën mesazhin e tyre nga letra ndërinstitucionale e 11 shkurtit se “taksat në prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës janë pengesë në rrugën drejt progresit”, e minojnë partneritetin e Kosovës me SHBA-në dhe se duhet të pezullohen “në mënyrë që Dialogu me Serbinë të lëvizë përpara”.

“Ata theksuan urgjencën që Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik”, thuhet në fund të deklaratës së Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Prishtinës dhe Beogradit, do ta rregullojë tregtinë e lirë Kosovë-Serbi.

Haradinaj tha se me zyrtarët amerikanë ka biseduar edhe për argumentet e Kosovës që, siç tha ai, “dialogu duhet të vazhdojë, që duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative ligjore në kufijtë ekzistues.

“Heqja e taksës në kuadër të një kontrate, pra të një marrëveshjeje kontratë për njohje reciproke Kosovë- Serbi, ku aty i dimë të gjitha temat përfshirë edhe tregtinë e lirë, në gjendjen çfarë është sot, është e pamundur të merret një veprim për pezullim të taksës “, tha Haradinaj.

Kurse, i pyetur nëse kërkesa e vazhdueshme e SHBA-së për pezullim të taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës, ia ka mbushur mendjen që të ndërmarrë një veprim të tillë, Haradinaj tha se janë dy aspektet se si po shihet taksa.

“Normalisht, se na e mbush mendjen edhe ekzistojnë dy pamje për ta parë tarifën. Një është kur e shohimsi pengesë për t’u kthyer në dialog. Tjetra është si ndihmesë për t’u arritur marrëveshja më shpejt, për shkak se koha tash nuk i kushton më vetëm Kosovës, por edhe Serbisë besoj”, deklaroi Haradinaj.

Ai theksoi se problemi i taksës nuk ndërlidhet me faktorin ndërkombëtar, por me qëndrimet e Serbisë karshi shtetit të Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga kryeministri Haradinaj, ka takuar mbrëmjen e së mërkurës zyrtarët amerikanë. Kurse,të enjten ka zhvilluar një takim me ta, ku ishin të pranishëm edhe bashkëdrejtuesit e Ekipit negociator, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

“Në këtë takim është biseduar për procesin e dialogut përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet e këtij procesi dhe tejkalimin e pengesave aktuale, duke përfshirë këshillat e SHBA-së për domosdoshmërinë e suspendimit të përkohshëm të taksës dhe rifillimin e dialogut, si dhe për shtimin e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, thuhet pos tjerash në një komunikatë për media nga Presidenca.

Po ashtu, në komunikatë është thënë se “me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë speciale me SHBA-në”.

Nga ana tjetër, politologu Ramush Tahiri, konsideron se Qeveria e Kosovës, njësoj siç e ka marrë vendimin për vënien e taksës, në të njëjtin format edhe duhet ta largojë ose ta pezullojë atë. Sipas tij, taksa është politike dhe nuk është ekonomike.

“Taksa duhet të pezullohet. Të gjitha forumet ndërkombëtare e kanë kërkuar këtë dhe Kosova nuk mund të sillet ndryshe nëse dëshiron të jetë shtet serioz dhe subjekt i barabartë ndërkombëtar. Është shumë më mirë që kjo taksë të hiqet nga Qeveria e Kosovës, ndërsa është shumë më keq që kjo Qeveri të bjerë dhe taksa të mbetet dhe të mos kemi mundësinë ta heqë Kosova ose ta pezullojë taksën deri pas zgjedhjeve të reja”, vlerëson Tahiri.

Taksa prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për produktet nga Serbia, ka krijuar një realitet krejtësisht të ri në raportet edhe ashtu të rënduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka reflektuar edhe në dialogun për normalizimin ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Për më shumë, çështja e kësaj takse tashmë është shndërruar në pengesë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin se kjo e fundit, heqjen e kësaj takse e ka vënë kusht për vazhdimin e këtij dialogu. (REL)