Subvencionet e Ministrisë Krijojnë Radhë të Gjata në Komunë

Ministria e Bujqësisë dhe Blegtorisë ka hapur aplikimet për subvencionet të cilat do t’ua ndajë qytetarëve.

Për të aplikuar për këto subvencione qytetarët po kanë nevojë që të marrin disa dokumente në mënyrë që të përmbushin aplikimin mirëpo në  sportelet e Komunës së Prishtinës janë krijuar radhë të gjata.

Qytetari Rrustem Kaqolli i cili jeton në Prishtine në lagjen Dardania ka pritur që nga ora 6 e mëngjesit për të kërkuar një fletë poseduese mbi pronën e tij.

“Unë kam ardhë në gjashtë, kur jam ardh këtu i 47 jam kanë në rend tu prit për me e marr një numër. Numrin që e kam marr e kom pas 57 për fletë poseduese të patundshmërisë prej orës 8 deri tash që tre orë unë jam tu prit për qatë fletë”, tha ai.

Mirëpo atij do t’i duhet që në komunë të shkojë edhe nesër për të marrë fletën poseduese të pronës e cila është në emër të nënës së tij.

“Mua më është dashur me e marr certifikatën e pasurisë së patundshme për marr aplikime për me mbjellë diçka si frute por për me ardhur në rend me e marr ata këtu po bohet shumë kallaballëk. I dhashë të dhënat edhe krejt çka duhet edhe i mori ajo shënimet tash i përgatit e në ora tre nesër duhet me ardh me e marr qatë fletë poseduese”, tha ai.

Qytetari Haki Gashi ka dy ditë që shkon para orës 8 në Komunë në mënyrë që të zërë radhën i pari.

“Që dy dite jam tu ardh për një listë poseduese po pres prej orës 6:15 deri në ora 2:50. Kjo është një çështje që më të vërtetë është maltretim për qytetarin pasi që njerëzit në kohët e sotme po duhet me prit 48 orë për një letër poseduese” , tha ai

Ai tha se më herët para nuk ka pasur radhë kaq të dhe ka qenë një mirëkuptim kurse tani “më qeta numra duhet me prit gjithë ditën edhe në fund të thotë me shku prej shpije”.

Ai tha se dje ka biseduar edhe me drejtoreshën e cila ju kishte thënë që të largoheshin pasi që kompjuterët nuk kanë punuar.

“Drejtoresha dje bash kur doli  prej zyrës vet tha nuk me intereson është prish kompjuteri, more zonjë i thash qysh është prish kompjuteri na presim ka 8 e 10 orë, prej orës 6 deri në ora 3 tha nuk më intereson hajde nesër” , tha ai.

Ndërkaq Shkelzen Dragaj zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë tha për Kallxo.com se ato dokumente janë të domosdoshme dhe nuk është çështje e tyre krijimi i radhëve te gjata.

“Ato janë dokumente që ne i kërkojmë me kriteret e tona, po pastaj komuna qysh i menaxhon problemin është çështje e tyre. Ne kërkojmë dokumentacion, gjithkund ku aplikon një njëri i duhet një dokument”, tha Dragaj.

Ai shtoi se faji është edhe tek qytetarët sepse kanë pasur afat 45 ditë dhe nuk është dashur t’i lënë për javën e fundit rregullimin e dokumenteve.

“Afati tek ne është 45 ditë, por qytetarët e lënë në javën  e fundit dhe këtu nuk është as faji i komunës as i ministrisë së bujqësisë, ne nuk e menaxhojmë atë pjesë. Ato dokumente janë të domosdoshme që ne i kemi kërkuar, dhe ne nuk mundemi me menaxhu këtë pjesë”, tha ai për Kallxo.com

Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës në një komunikatë për media tha se radhët që janë krijuar në sportelet e kësaj Drejtorie në ndërtesën e re të Komunës së Prishtinës janë për arsye se Ministria e Bujqësisë ka shpallur afatin për subvencione dhe palët po aplikojnë për certifikata të pronës dhe kopje të planit, dokumente këto që iu nevojiten për të aplikuar për subvencione dhe se
rrjeti i Agjencionit Kadastral është shumë i ngadalshëm dhe ka ndërprerje të shpeshta rrjeti.

“Drejtoria e Kadastrit ka dërguar emaila në baza ditore në AKK si dhe thirrje telefonike që ta ristartohet rrjeti, mirëpo deri më tash pa sukses”, thuhet ne njoftimin e komunës

Ata thanë se ky problem është prezent edhe në komuna të tjera e jo vetëm në atë të Prishtinës dhe se Drejtoria e Kadastrit po punon me kapacitet të plotë dhe së fundmi i ka funksionalizuar 3 sportele për t’u përgjigjur në sa më shumë kërkesa të qytetarëve.