Foto-ilustrim

Subvencione për Fermerët e Listës së Zezë

Në një njoftim të Ministrisë së Bujqësisë thuhet se të gjithë fermerët të cilët në vitin 2014 dhe 2015 kanë hyrë në listën e zezë, janë hequr nga ajo në bazë të rekomandimeve të dhëna nga komisioni i veçantë i ngritur për të rishikuar çështjen e sanksioneve në kuadër të programeve mbështetëse për bujqësinë dhe vendimit të ministrit Memli Krasniqi.

“Obligohet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë që  të anulojë të gjitha vendimet për futjen e fermerëve në listën e zezë për vitin 2014 dhe 2015 si dhe që përmes mjeteve të informimit publik t’i njoftojë fermerët për këtë vendim dhe të mundësojë aplikimin e tyre për mbështetje në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për Vitin 2016,” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Përveç fermerëve të cilët kanë tentuar qëllimisht të përfitojnë subvencione duke shkelur rregullat dhe procedurat e përcaktuara, do të përfitojnë nga ky afat i rri i aplikimit për subvencione edhe fermerët të cilët kanë bërë gabime teknike për shkak të mungesës së njohurive të mjaftueshme për kriteret dhe procedurat e aplikimit për përfitim të subvencioneve.

Nga afati i ri i aplikimit për subvencione do të përfitojnë edhe fermerët që për shkak të gabimeve të zyrtarëve komunalë në digjitalizimin e parcelave dhe marrjes me vonesë të njoftimit nga ana Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë nuk kanë mundur të ankohen në këtë agjenci, ose të parashtrojnë padi në afatin e përcaktuar ligjor.

Ky vendim përjashton të gjithë fermerët ndaj të cilëve zhvillohet procedurë gjyqësore në gjykatat kompetente apo ata për të cilët është ngritur padi për tentim mashtrim.

KALLXO.com shkroi në fund të marsit për pritjet e gjata në sportelet e Komunës së Prishtinës të atyre që rregullonin dokumente për të aplikuar për subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë.

http://kallxo.com/subvencionet-e-ministrise-krijojne-radhe-te-gjata-ne-komune/