Stuhia e Borës në SHBA, 19 të Vdekur

Sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve amerikane, numri i viktimave të stuhisë së borës në SHBA ka shkuar në 19. Shumica e tyre kanë vdekur në aksidente komunikacioni.

Të cituara nga AFP, autoritetet thonë se 13 persona kanë humbur jetën në aksidentet e komunikacionit, që janë rezultat i borës dhe akullit në rrugë. Viktimat janë regjistruar në Ohio në Arkansas, në Karolinën e Veriut, Kentucky, Tennessee dhe në Virginia.

Një person ka vdekur në Maryland dhe tre të tjerë në New York teksa po e hiqnin borën. Dy raste të vdekjes nga hipotermia janë regjistruar në Virginia.

Guvernatori i shtetit të New York-ut, Andrew Cuomo, i cili e ka shpallur gjendjen e emergjencës, ka urdhëruar mbylljen e të gjitha urave dhe tuneleve që çojnë në New York City, e që menaxhohen nga Port Authority i shteteve New York dhe New Jersey.

Në New York ka rënë më shumë se 60 cm borë. Kështu, për nga sasia e borës që ka rënë, kjo është stuhia e tretë që kur ka filluar matja e të reshurave, raporton AFP.

Gjithashtu, në këto dy shtete është ndërprerë transporti publik.

Në Washington, kryeqyteti federal, ku vende-vende natën mes të premtes dhe të shtunës ka rënë deri në 60 cm borë, komuna u ka kërkuar banorëve të mos dalin nga shtëpitë e tyre.