Aktiviteti i Degës së PDK-së në Lipjan, Foto: Facebook

Studenti i Gjeografisë akuzon PDK-në në Lipjan se i përdorën hartën pa leje

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komunën e Lipjanit po akuzohet se ka përdorur një hartë turistike të qytetit, pa të drejtën e autorit.

Jetmir Bytyçi, absolvent në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka raportuar në KALLXO.com se në sheshin e qytetit të Lipjanit është vendosur një hartë, të cilën e ka punuar vetë ai dhe se askush nuk e ka pyetur paraprakisht për leje.

“Harta me titull ‘Harta Turistike e komunës së Lipjanit’ është punuar nga unë, më 2017 në lëndën ‘Hartografimi Tematik’ për punim seminari, harta në fjalë është keqpërdorur nga këta persona, që unë nuk e di se kush janë. Pa të drejtën time autoriale është marrë, është edituar në disa vende dhe vendosur në sheshin ‘Adem Jashari’”, ka thënë ai.

Bytyçi ka shtuar se ka dëshmi që kjo vepër është e tij dhe ka ftuar autoritetet vendore të merren me rastin.

“Vepra ime nuk duhet të keqpërdoret për çështje politike e për fushata zgjedhore. Unë do tu a lë në dorë organeve kompetente këtë çështje. E drejta autoriale është e mbrojtur me ligje të Republikës së Kosovës dhe besoj shumë në drejtësinë tonë”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, PDK në Lipjan vlerëson se harta është përdorur për qëllime të mira.

Kryetari i Degës së PDK-së në Komunën e Lipjanit, Hyzer Rizani ka thënë për KALLXO.com se nuk e di se ku e kanë marrë hartën aktivistët e partisë së tij.

“Nuk po  e di ku e kanë marr atë strukturat e rinisë, por po besoj që përmes internetit. Harta e Lipjanit, është harta që është e qytetit, ajo nuk ndryshon, ndërsa për fotografitë e vendeve turistike nuk besoj që ka pasur ndonjë prapavijë ndaj dikujt, qëllimi është për të mirë, me i kuptu vendet të cilat janë”, ka shtuar ai.

Sipas Rizanit, një gjë e tillë mund të ndodhë, ndonëse duhet të verifikohet prejardhja e hartës dhe fotografive.

“Ndodhë, rinia e ka marrë përmes rrjeteve sociale apo përmes Google map, sido që të jetë prejardhja por qëllimi është i mirë, informues, tash nuk e di mund të jetë që e ka bo atë pjesën por nuk mund të them edhe diçka derisa të verifikohet”, tha kryetari i PDK-së në Lipjan.

Në anën tjetër, Dega e PDK-së në Lipjan, përmes rrjetit social Facebook, me 29 qershor të këtij viti kishte njoftuar për aktivitetin në fjalë.

“Me moton: ‘Unë e di, po ti? Çmoje tënden!’, Rinia Demokratike e Kosovës në Lipjan, prezanton Hartën Turistike të Komunës së Lipjanit. Në mungesë të iniciativave dhe aktiviteteve kulturore e turistike të pushtetarëve, Lipjanit i mungon edhe orientimi që shpie deri te këto vende turistike e trashëgimore”, thuhet ndër të tjerash në publikimin e tyre.

 

Aktiviteti i Degës së PDK-së në Lipjan, Foto: Facebook