Nga simulimi i votimit në Fakultetin Juridik. Foto: KQZ

Studentët ‘Votuan’ të Parët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) ka filluar zbatimin e planit për simulimin e zgjedhjeve në përpjekje për informim dhe edukim sa më të saktë të votuesve për mënyrën e votimit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka e cila shoqërohej nga Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Haxhi Gashi, u takua me studentë të këtij fakulteti ku u bë simulimi i procesit zgjedhor.

Fillimisht, kryetarja Daka ka paraqitur një historik të shkurtër të proceseve zgjedhore në Kosovën e pasluftës dhe pastaj në emër të KQZ-së ka ftuar të rinjtë për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale.

“Më vjen mirë që sot jemi bashkë këtu për të dhënë mesazhet tona për vlerën dhe rëndësinë që ka e drejta për të votuar. Prandaj, më lejoni që t’iu kërkojë të gjithë juve dhe të gjithë studentëve të tjerë në të gjithë vendin që me 22 tetor të shfrytëzoni të drejtën tuaj”, tha Daka.

Më tej, kryetarja e KQZ-së tha se rritja e besueshmërisë në procesin zgjedhor, realizimi me integritet i tij, rritja e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje, modernizimi i shërbimeve, janë vetëm disa prej aspekteve të shumta, për arritjen e të cilave mbetet çdoherë i përkushtuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Gjithashtu, në këtë kohë të fushatës zgjedhore, ajo u ka bërë thirrje Subjekteve Politike dhe kandidatëve që t’u përmbahen Kodit të Mirësjelljes, si një rrugë e duhur për t’iu shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Pas kësaj, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve simuluan procesin zgjedhor, me theks të veçantë në Ditën e Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kuadër të planit për simulimin e zgjedhjeve, ka mbajtur takime të ngjashme edhe në universitete të tjera në vend.