Studentët Protestojnë Kundër Drejtuesve të Universitetit të Pejës për Mosakreditim

Protestuesit shprehën shqetësime edhe për mosndarjen e bursave dhe politizimin e universitetit.

Mërgim Ibra, i cili foli në emër të protestuesve, tha se shqetësimi kryesor i studentëve është mosakreditim i këtyre programeve.

“Shqetësimi jonë kryesor është mosakreditimi i shtatë programeve në Universitetin “Haxhi Zeka”, të cilin e ka lenë (menaxhmenti) në universitete me të prapambetura në cilësi”, tha studenti Ibra.

Mosndarja e bursave për studentë të këtij Universiteti, nepotizmi dhe punësimet politike, ishin pankartat që protestuesin mbanin në duar para objektit të rektoratit.

Për këto shqetësime studentja Albina Lleshi fajësoi menaxhmentin e Universitetit.

“Si shqetësim po e shihni që kemi bërë pyetje se ku mbeti cilësia? Ku mbetën bursat? Ku janë shtatë programet? Se ne të ardhmen e kemi universitetin, Peja krenohet me ketë universitet dhe për ketë arsye mos na e shkatërroni atë. Mos lejoni që gjeneratat e ardhshme mos me ardhë këtu”, tha Lleshi.

Në anën tjetër, sipas rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku, mungesa e profesorëve të rregullt ka bërë që shtatë programe të fakulteteve të këtij Universiteti mos të akreditohen.

“Për çdo program duhesh me pas tre profesorë të rregullt në mënyrë që të mos suspendohet ai program ose mos me t’u akredituar një program tjetër. Në qoftë se ne edhe pse i kemi gati 50 profesorë tani momentalisht, është e pamundur 20 programe t’i mbulojmë me ketë numër të profesorëve”, tha rektori Millaku

Rektori tha se disa herë kanë hapur konkurse për të angazhuar profesorë mirëpo, sipas tij, nuk ka pasur kandidatë të cilët i kanë plotësuar kriteret.

Millaku u shpreh optimist se më 28 korrik, Këshilli Shtetëror i Cilësisë do t’ia vazhdojë akreditimin disa programeve të fakulteteve meqë pret që deri atëherë të plotësohen kriteret për to.

Kurse për çështjen e bursave tha se deri me tani nga ministritë përkatëse nuk janë ndarë mjete financiare për Universitetin “Haxhi Zeka”, që bursat t’u ndahen studentëve të dalluar.

KALLXO.com dje raporti me mos akreditimin e 131 programeve të arsimit të lartë publik dhe privat nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

http://kallxo.com/akreditimi-suspendohen-131-programe-te-arsimit-te-larte-publik-dhe-privat/