Studentët paralajmërojnë bojkot të ligjëratave

Një grup studentësh që thanë se janë përfaqësues nga të gjitha Universitetet Publike të Kosovës gjatë ditës së sotme mbajtën një konferencë për media përmes të cilës treguan disa nga kërkesat që do t’i parashtrojnë gjatë protestës që do të mbahet me 16 janar, duke filluar nga ora 13:00, para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ata deklaruan se nëse kërkesat e tyre nuk përfillen atëherë do të vazhdojnë me protesta dhe bojkot ndaj pjesëmarrjes në ligjërata.

Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prizrenit, Milot Krasniqi ka thënë se të gjitha parlamenteve studentore dhe gjithë studentët në Republikën e Kosovës përmes kësaj proteste po kërkojnë plotësimin e kushteve të njëjta.

Ai theksoi se kërkojnë nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, shkarkimin e menjëhershëm të militantëve partiakë të cilët tashmë janë bërë pjesë e Këshilleve Drejtuese në të gjitha universitetet e Kosovës.

“Kemi edhe rastin e rektorit që është zgjedhur jashtëligjshëm. Statuti thotë që rektori zgjidhet me 2/3 e votave nga 7 anëtarët që i ka, rektori është zgjedhur me 4 vota. Gjatë zgjedhjes së ushtruesit të detyrës ata kanë marrë një vendim pa procesverbal. Gjykata Themelore e Prizrenit ka marrë një aktvendim të përkohshëm në lidhje me vendimin e Këshillit Drejtues, por ata kanë dalë përtej kompetencave të Gjykatës dhe nuk po e zbatojnë këtë vendim. Kemi edhe problemin e bursave, ka tri vite që UPZ nuk ka bursa.”, ka deklaruar kryetari i PS-së në Prizren.

Ndërkaq përfaqësuesi i Grupit të Pavarur Studentor Diar Statovci, i cili është student në Universitetit të Prishtinës, ka treguar se cilat janë arsyet e organizimit të kësaj proteste, duke filluar me punësimin e një numri të madh të militantëve partiakë brenda MAShT-it.

Ai tregoi që arsye tjetër është edhe emërimi i njerëzve partiakë në Këshillet Drejtuese të Universiteteve Publike.

“Poashtu futja në grevë e studentëve të FSHMN-së për mosndërtimin e objektit. Mendoj që kanë një kauzë të drejtë dhe kanë gjetur përkrahjen nga të gjithë përfaqësuesit e universiteteve publike, si dhe zgjedhja e rektorit në Universitetin e Prizrenit në mënyrë të jashtëligjshme. Kjo protestë paraqet një zgjim studentor sepse protestat nuk besoj që do të ndalen deri në realizimin e kërkesave tona.”, ka thënë Statovci.

Sipas tij, mosreflektimi i ministrit Bytyqi karshi kërkesave të studentëve ndër vite, po i detyron ata që të organizojnë protesta.

“P.sh. në Universitetin e Prishtinës nuk po lejohet që organizata që i ka fitu zgjedhjet me e mbajtë Parlamentin Studentor, mirëpo për shkak të presioneve politike nuk po lejohet me zhvillu veprimtarinë e saj. Në rast se nuk plotësohen kërkesat tona mund të ndodhë që të ketë edhe bojkotim total të njësive akademike.”, deklaroi ky student.

Studenti i UP-së, Diar Statovci shtoi se kërkesë e studentëve që do të protestojnë të mërkurën(16 janar) prej orës 13:00, do të jetë edhe përmirësimi i kushteve në Qendër të Studentëve, siç theksoi ai, duan që studentët të kenë ujë të nxehtë 24 orë.

https://kallxo.com/studentet-e-prizrenit-ne-proteste/