Foto: Universiteti i Prizrenit, 06.06.2019

Studentët nga Universiteti “Ukshin Hoti” vizituan Prokurorinë e Prizrenit

Prokurorinë Themelore në Prizren gjatë ditës së stome e vizituan një grup prej 15 studentësh të Fakultetit Juridik nga Unviersiteti “Ukshin Hoti”, të cilët kishin për qëllim njohjen në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë institucion.

Sipas një komunikate për media, qëllim kryesor i kësaj vizite, ishte edukimi dhe marrja e njohurive praktike dhe të drejtpërdrejta nga kjo prokurori, ku me këtë rast, studentëve mirëseardhje i shprehu zëvendës kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Arijana Shajkovci.

“Gjatë këtij takimi, zëvendës kryeprokurorja Arijana Shajkovci, fillimisht e vlerësoi vizitën e studentëve, dhe i njoftoi për funksionimin dhe efikasitetin e prokurorisë si dhe bëri një pasqyrim të punës së përditshme të prokurorëve”, thuhet në njoftim.

Më tutje, Shajkovci, i njoftoi studentët për bashkëpunimin që ka prokuroria me policinë, gjykatën si dhe me institucionet tjera të drejtësisë.

Tutje thuhet se studentët u njoftuan edhe me procedurat sa i përket trajtimit të lëndëve, që nga pranimi i kallëzimeve penale, faza e hetimeve, e deri tek ngritja e aktakuzave, pushimi i hetimeve apo hudhja e kallëzimeve penale, si dhe përfaqësimi i rasteve penale në gjykata.

“Pas prezantimit fillestar, vijoi diskutimi i hapur me studentët. Zëvendës kryeprokurorja i’u përgjigj interesit të studentëve, të cilët u fokusuan mbi aspekte të ndryshme. Njëra nga pikat për të cilën u interesuan më shumë studentët ishte, informimi me procedurën e raportimit të rasteve në institucionet e ndjekjes, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me transparencën dhe llogaridhënien e këtij institucioni”, përfundon njoftimi.