Studentet proteste para MAShT - 16.01.2019 - FOTO KALLXO

Studentët në protestë, kërkojnë ndaljen e punësimit të njerëzve të NISMA-s

Përfaqësuesit e studentëve nga të gjitha Universitetet Publike në Republikën e Kosovës përmes një aksioni simbolik kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë depolitizimin e universiteteve publike.

Përfaqësuesi i Grupit të Pavarur Studentor, Diar Statovci, ka kërkuar depolitizimin e Universiteteve Publike dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Me ardhjen e ministrit Bytyqi, ne kemi shpresuar se depolitizimi do të ndodhë, do të largohen njerëzit e politikës nga universiteti, mirëpo ne vazhdimisht kemi kërkuar fakte se politizimi i universiteteve po vazhdon, si punësimi i militantëve të NISMA-s në Ministrinë e Arsimit, emërimi nëpër bordet udhëheqëse të universiteteve publike, zgjedhja e jashtëligjshme e rektorit në Universitetin e Prizrenit, mos funksionalizimi i unionit të studentëve në Universitetin e Prishtinës, mos ndërtimi i fakultetit të shkencave dhe rritja e buxhetit kanë qenë disa nga arsyet që na kanë shtyrë, që ne sot të protestojmë para Ministrisë”, ka thënë Statovci.

Statovci ka shtuar se këto janë vetëm disa nga kërkesat e studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Ndërsa për situatën e krijuar në Universitetin publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”, para ministrisë ka folur kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prizrenit, Milot Krasniqi.

Ai ka thënë se të gjitha parlamenteve studentore dhe gjithë studentët në Republikën e Kosovës përmes kësaj proteste po kërkojnë plotësimin e kushteve të njëjta.

Ai theksoi se kërkojnë nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, shkarkimin e menjëhershëm të militantëve partiakë të cilët tashmë janë bërë pjesë e Këshillave Drejtuese në të gjitha universitetet e Kosovës.

“Kemi edhe rastin e rektorit që është zgjedhur jashtëligjshëm. Statuti thotë që rektori zgjidhet me 2/3 e votave nga 7 anëtarët që i ka, rektori është zgjedhur me 4 vota. Gjatë zgjedhjes së ushtruesit të detyrës ata kanë marrë një vendim pa procesverbal. Gjykata Themelore e Prizrenit ka marrë një aktvendim të përkohshëm në lidhje me vendimin e Këshillit Drejtues, por ata kanë dalë përtej kompetencave të Gjykatës dhe nuk po e zbatojnë këtë vendim. Kemi edhe problemin e bursave, ka tri vite që UPZ nuk ka bursa, ndërsa bursat e marra nga studentët në vitin 2015 kanë qenë nga 202 euro”, ka deklaruar kryetari i PS-së në Prizren.

Krasniqi bursat e marra nga studentët në vitin 2015 i ka quajtur “ndihma sociale”, sepse sipas tij me atë shumë që ata kanë marrë, nuk mund të shpërblehen studentët e dalluar.

Përfaqësuesit e studentëve gjithashtu kanë shtuar se disa herë kanë menduar edhe bojkotin e studimeve , por për shkak se ata kanë konsideruar se bojkoti do ta thellonte edhe më shumë situatën në universitet ata janë tërhequr.

Për plotësimin e këtyre kërkesave studentët i kanë dhënë kohë ministrit Bytyqi deri në fillim të semestrit tjetër, ndryshe do të ndërmarrin masa të tjera, duke mos përjashtuar protestat masive.

Po ashtu, studentët kanë dërguar edhe një mesazh për ministrin Bytyqi.

Ata kanë vënë pranga në dyert e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duke treguar kështu se punësimet politike në Ministri dhe Universitete Publike e kanë burgosur arsimin e lartë.

 

 

 

https://kallxo.com/studentet-paralajmerojne-bojkot-te-ligjeratave/

.