Studentët kosovarë anëtarësojnë Kosovën në organizatën më të madhe të studentëve të mjekësisë

Kosova’s Organization of Medical Students (KOMS), ka njoftuar se nga sot Kosova është shtet anëtar me të drejta të plota në organizatën më të madhe të mjekësisë “The International Federation of Medical Students’ Associations-IFMSA!

Shteti ynë i cili përfaqësohet nga KOMS, ka fituar të drejtën e votës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, pas votimit të kandidaturës tonë nga shtetet anëtare të pranishme në IFMSA March Meeting 2019, që po zhvillohet në Portorož, Slloveni.

Kosova’s Organization of Medical Students (KOMS), e krijuar më 2011, është organizata e parë dhe më e madhe e studentëve dhe profesionistëve të shkencave mjekësore në Kosovë.

Dorina Gashi, drejtoreshë e KOMS, ka thënë për KALLXO.com se i gjithë procesi i anëtarësimit ka qenë sfidues për shkak të politikave dhe lobimit kundër nga ana e shtetit serb.

“Gjatë këtyre dy vitesh e gjysmë vazhdoi puna intensive me përgatitje për plotësimin e kushteve për anëtarësim të plotë në IFMSA. Kjo punë u kurorëzua sot, ku me shumicë votash Kosova ju bashkua familjes së madhe të IFMSA. KOMS në këtë takim po përfaqësohet nga presidentja e organizatës, Dorina Gashi, dhe nga anëtarët Kaltrina Goçaj, Enkelë Koci, Art Deva, Dea Kukaj dhe Lir Jakupi. Procesi i integrimit të Kosovës në këtë organizatë ka qenë i gjatë, i lodhshëm dhe shumë sfidues për shkak të rrethanave politike në të cilat ndodhet Kosova në sferën ndërkombëtare, e në veçanti për shkak të raporteve të shtetit tonë me disa shtete të Kombeve të Bashkuara. Kosova në vitin 2016 fitoi statusin e anëtarit kandidues në këtë organizatë. Vështirësi e veçantë ishte kundërshtimi i ashpër nga Serbia dhe fushata e vazhdueshme që ky vend bëri kundër anëtarësimit tonë”, thotë Gashi.

Procesi i anëtarësimit të studentëve kosovarë në IFMSA ka zgjatur dy vjet e gjysmë përgatitje për plotësimin e kushteve për anëtarësim të plotë në IFMSA.

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Studentëve Mjekësorë (IFMSA), e themeluar në vitin 1951, është një nga organizatat më të vjetra dhe më të njohura në botë . Ajo përfaqëson, lidh dhe angazhohet çdo ditë me studentët e mjekësisë nga nga 135 organizata në 125 vende rreth globit.IFMSA është e koncentruar në katër fusha kryesore globale shëndetësore: Shëndeti Publik, Shëndeti seksual dhe riprodhues, Arsimit mjekësore  dhe  të drejtat e njeriut dhe paqe.