Nga nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Universitetit të Prizrenit dhe KALLXO.com. Foto: UPZ

Studentët e UPZ-së me Mundësi për Praktikë në KALLXO.com

Me këtë marrëveshje parashihet që një numër i caktuar i studentëve të këtij universiteti të kenë mundësi të kryejnë praktikën profesionale në KALLXO.com që është produkt i organizatave Internews Kosova dhe BIRN.

KALLXO.com është platformë online për raportimin e korrupsionit, parregullsive dhe ofrimin e shërbimeve publike.

BIRN dhe Internews Kosova gjithashtu përpilojnë raportin vjetor mbi monitorimin e punës së gjykatave të Kosovës.

Mundësi për këtë praktikë do të kenë pikërisht studentët e Fakultetit Juridik.

Rektori i këtij universiteti, Ramë Vataj që e nënshkroi marrëveshjen me Drejtorin Ekzekutiv të ‘Internews Kosova’ , Faik Ispahiu e konsideroi këtë marrëveshje si mundësi të shkëlqyer për studentët.

“Në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimi një numër i caktuar i studentëve të UPZ-së do të kryejnë praktikën profesionale në Kallxo.com, e cila përvojë do t’u shërbej atyre për zhvillim profesional por edhe kyçje më të lehtë në tregun e punës” , thuhet në njoftimin e UPZ.

Edhe Drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu, foli për përfitimet që marrin studentët nga angazhimi në punë praktike në KALLXO.com.

“Pas disa marrëveshjeve për punë praktike për studentë të universiteteve publike në Prishtinë kemi vendosur që një mundësi të tillë t’ua ofrojmë edhe studentëve të universiteteve publike të qendrave tjera të Kosovës. Marrë parasysh natyrën e punës në organizatën tonë, mundësia e ofruar do t’u ndihmojë studentëve që të aftësohen profesionalisht”, tha Faik Ispahiu.

Dhjetëra studentë nga drejtimet e Gazetarisë dhe Juridikut deri më tani kanë përfituar  nga mundësitë e tilla për punë praktike të ofruara nga KALLXO.com.