Qendra e Studentëve, Prishtinë

Studentët Bëhen me Qendër Shëndetësore

Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk do të kenë nevojë më që të kërkojnë ndihmë mjekësore jashtë oborrit të Qendrës së tyre në Prishtinë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ua ka kumtuar sot lajmin studentëve se një qendër ambulatore në Qendrën e Studentëve do të hapet në fillim të vitit të ardhshëm.

Ahmeti u takua sot me drejtorin e Qendrës së Studentëve Fatmir Sfishta.

Sipas tij, kjo pikë ambulatore do jetë në shërbim të studentëve të cilët deri më tani shkonin nëpër qendra të ndryshme të mjekësisë familjare në lagje të ndryshme të Prishtinës.

“Ne tashmë e kemi bërë planifikimin për stafin shëndetësor, dhe po ashtu për mjetet të cilat do të na nevojiten që në fillim të jetë një qendër ambulatore. Më pas do t’i shtohet edhe shërbimi stomatologjik, ai i analizave të gjakut, dhe më vonë edhe për shërbime tjera”, tha i pari i Prishtinës.

Fatmir Sfishta, Drejtor i Qendrës Studentore, e quajti vizitën e Ahmetit si një hap fillestar drejt një rruge të gjatë të bashkëpunimit.

“Në një të ardhme shumë të afërt do hapet kjo qendër e cila nuk do jetë vetëm në shërbim të studentëve por edhe të banorëve afër”, tha Sfishta.

Një qendër e tillë ishte e hapur deri në vitin 2007 por ishte mbyllur më pas ndërsa personeli mjekësor ishte shpërndarë.