Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Strehimorja e Mitrovicës mbetet jo funksionale në mungesë fondesh

Vendi në të cilin strehohen vitkimat e dhunës në familje në qytetin e Mitrovicës nuk po funksionon për momentin.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe drejtoresha e QMGF – Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në qytetin e Mitrovicës, Fidane Hyseni.

Ajo ka thënë se viktimat e dhunës në familje të cilat kanë qenë të strehuara në këtë qendër tashmë janë derguar në Prishtinë.

Sipas Hysenit kjo qendër nuk i plotëson as kushtet elementare për strehimin e viktimave.

“ Stafi i strehimores është duke funksionuar, strehimoren nuk e kemi mbyll mirëpo viktimat të cilat kanë qenë i kemi dergu në strehimoren në Prishtinë, arsyeja se këtu nuk kanë kushte elementare si nxemje, ushqim dhe higjienë. Jemi duke pritë miratim të fondeve për funksionalizim, kuvendi komunal na përkrah përmes qirasë dhe rrymës elektrike, por kur ndodhi djegia e trafos na është prishur një pjesë e rrymës, ndërsa stafi është duke punuar “, ka thënë Hyseni për Kallxo.

Lidhur me gjendjen e kësaj strehimorje ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Ata kanë shprehur zhgenjimin e tyre për kushtet dhe atë se çfarë ofron kjo qendër.

“ Jemi të zhgënjyer me të dëgjuar se qendra për strehimin e viktimave të dhunës në familjle, në Mitrovicë është mbyllur për shkak të mungesës së fondeve. Vetëm vitin që shkoi kjo qendër ka ofruar shërbime për 63 vitkima të dhunës në familje nga rajoni i Mitrovicës. Një Qender e strehimit në Kosovë merr vetëm 60.000 euro në vit për të përmbushur përgjegjësit e saj” thuhet në reagimin e OSBE-së.

Ata po ashtu u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të aprovojnë fondet e nevojshme.