Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin e Maqedonisë - Foto: REL/AP

Stoltenberg: Në Selinë e NATO-s Ka Vende të Lira për Flamuj të Rinj

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, para deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë ka dalë me porosi të qartë se “në selinë e NATO-s ka ende vende të lira për flamuj të rinj, dhe se Maqedonia është e mirëpritur”.

Stoltenberg megjithatë ka theksuar se këtij synimi të Maqedonisë, duhet t’i paraprijë zgjidhja e kontestit që ka Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit.

“Gjatë ditës së djeshme në Nju Jork u bë edhe një hap i madh, jam i inkurajuar për hapat e ndërmarr dhe ju inkurajoj që të shkoni para. Megjithatë, anëtarësimi në NATO është më shumë se zgjidhja e çështjes së emrit. Vendet që aspirojnë të anëtarësohen në NATO, kërkohet nga ta dhe përmbushja e reformave. Ju përgëzoj për përpjekjet, posaçërisht planin 3-6-9”, ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoletenberg duke nënvizuar seriozitetin me të cilin strukturat udhëheqëse të shtetit, duhet t’u qasen reformave të definuara në planin e Qeverisë, të njohur si plani 3-6-9, që kanë të bëjnë me gjyqësorin.

Stotelberg njëherësh e ka quajtur si hap shumë të rëndësishëm, siç ka thënë “miratimin e i Ligjit për gjuhët javën e kaluar”.

“Miratimi i Ligjit për gjuhët ishte hap i rëndësishëm. E vërejmë avancimin në sferën e përgjegjësisë dhe transparencës. Duhet të vazhdojnë reformat edhe në gjyqësor. Shpresojmë të shohim avancim në reformat në sistemin zgjedhor dhe mediat. Të gjithë kanë përgjegjësi. Me rëndësi është që jo vetëm të sillen ligje, por edhe të jeni vend i lirë dhe demokratik, ku do të respektohet e drejta. Këtu rol ka edhe opozita”, ka theksuar Stoltenberg.

Diplomati i lartë i NATO-s ka theksuar se me rëndësi të veçantë është qasja e opozitës ndaj të gjitha proceseve të rëndësishme, përballë të cilave ndodhet Maqedonia si shtet, duke theksuar rendësin e konstruktivitetit të opozitës dhe sektorit civil.

Në Parlament kanë marrë pjesë dhe deputetët e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE-së, të cilët për një kohë të gjatë janë duke bojkotuar punimet e institucionit ligjvënës.

Derisa Stoltenberg mbante fjalim në foltoren e Parlamentit të Maqedonisë, dhjetëra qytetarë protestuan para Parlamentit, kundër arritjes së çfarëdo kompromisi që nënkupton ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë. (REL)