Blerand Stavileci, Ministër i Zhvillimit Ekonomik

Stavileci: Termocentrali ‘Kosova e Re’, Sukses për MZHE-në

Finalizimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” u cilësua si njëri ndër projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik përgjatë vitit 2015.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se marrëveshja me kompaninë amerikane është mënyra më e mirë e kurorëzimit të punës së tij njëvjeçare.

“Mënyra më e mirë e mundshme e kurorëzimit të një pune  tashmë të plotë njëvjeçare nga dhjetori i vitit të kaluar është finalizimi i marrëveshjes e kompaninë amerikane në cilësinë e investitorit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re ”, tha Stavileci.

Projekte me rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit, sipas Stavilecit, janë përfundimi i autostradës energjetike dhe hartimi i projektligjit për efiçiencën e energjisë.

Ai tha se përfundimi i punimeve për autostradën energjetike të Kosovës me Shqipërinë do ta bëjë edhe më të pranueshëm ndërtimin e termocentralit.

“Funksionalizimi i linjës energjetike  e bën edhe më të pranueshëm ndërtimin e termocentralit me njësi gjeneruese”, tha ministri Stavileci.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik javën e kaluar ka nënshkruar marrëveshje me investitorin amerikan “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me vlerë mbi 1 miliardë euro me të cilën priten krijimi i 10 mijë vendeve të reja të punës.