Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Statistikat: Në Kosovë për çdo orë vdes një person

Përveç fenomenit të emigrimit të dhjetëra mijërave qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të perëndimit, për një jetë më të mirë. Kosova po ballafaqohet edhe me vdekjen e qytetarëve që reflekton në ndryshim të numrit të popullsisë.

Në Kosovë, mesatarisht vdesin 24 persona çdo ditë. Për tri vjet Kosovës i vdiqën mbi 26 mijë qytetarë. Numri i vdekjeve sa vjen e rritet, më të prekur nga vdekjet janë meshkujt, përderisa dominojnë rastet e moshave mbi 60 vjeç

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në librat amzë për vdekjet, në vitin 2018, kanë qenë 9 mijë e 991, prej tyre vdekje të ndodhura vetëm në Kosovë 8 mijë e 998, kurse vdekjet të cilat kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 993.

Krahasuar me vitin 2017-të, ky numër është më i lartë për 277 persona, po në raport me vitin 2016-të numri i vdekjeve është më i lartë për 503 vetë.

Sipas kalkulimeve rezulton se për tri vjetët e fundit në Kosovë vdiqën 26 mijë e 664 qytetarë.

Numri i vdekjeve në vitin 2017-të ishte 8 mijë e 721 persona përderisa në viti 2016-të ishte 8 mijë e 495 persona.

Më shumë se gjysma e qytetarëve që vdiqën vjet ishin të gjinisë mashkullore

“Nga gjithsejte vdekjet e raportuara të ndodhura vetëm në Kosovë, 4959 janë meshkuj apo 55.1% dhe 4039 janë femra apo 44.9%. “, bën të ditur ASK.

Tutje raporti përmend se 42.9 për qind e rasteve të vdekjeve kanë ndodhur në institucione shëndetësore, ndërsa 55.3 për qind kanë ndodhur në shtëpi dhe 1.8 në vend tjetër.

Sipas komunës ku ka ndodhur vdekja, Prishtina zë vendin e parë me 2 mijë e 531 raste të vdekjeve apo 25.3 për qind, vendin e dytë Prizreni me 995 apo 10.0 për qind , të tretin Peja 665 apo 6.7 për qind etj.

Gjithashtu në raport thuhet se 79.9 për qind e të vdekurve janë të moshës 60 e më shumë vjeç.

Më shumë se 90 për qind e të vdekurve ishin shqiptarë.

“Kuartali i parë i vitit merr pjesë me 35.4%, ndërsa muaji Janar zë vendin e parë me 9.7% të vdekjeve të raportuara. Shqiptarët marrin pjesë me 90.1%.”, njofton ASK.

Më tej raporti statistikor i ASK për numrin e vdekjeve tregon se vdekje të dhunshme në vitin 2018 ka pasur gjithsej 177 raste apo 1.9 për qind.

Në raport me vitin 2017-të ky numër është më i lartë për 2 vetë përderisa në krahasim me vitin 20116-të numri i vdekjeve të dhunshme ka rënë për 11 persona më pak.

Në vitin 2017-të evidentohen 175 raste të vdekjeve të dhunshme përderisa në 2016-ën evidentohet 188

Pjesa më e madhe e vdekjeve të dhunshme ishin në fatkeqësi.

“Fatkeqësi 129 apo 72.9%, vetëvrasje 27 apo 15.3% dhe vrasje 21 apo 11.9%. Tek fatkeqësitë dhe vrasjet dominon mosha 20-49 vjeç, ndërsa tek vetëvrasjet dominon mosha 50+ si te meshkujt njashtu edhe te femrat. “, tregon raporti.

Vdekja nuk i ka kursyer edhe fëmijët, ku shifrat arrijnë në 242 fëmijë të vdekur.

“Foshnje të vdekura në vitin 2018 ishin 242, dhe pjesëmarrja e tyre në gjithsej të vdekur është 2.7%. Meshkuj 134 apo 55.4%, Femra 108 apo 44.6 %. Foshnje të vdekura deri 6 ditë kanë qenë 147 apo 60.7%, 7 deri 27 ditë kanë qenë 50 apo 20.7% dhe 28 ditë deri në 1 vjet kanë qenë 45 apo 19%.”, thuhet në mes tjerash nga ASK.

Që nga viti 20116-të, vdekja e fëmijëve, ka pas rritje të vazhdueshme në vitin 2016-të ky numër ishte 199 raste, në vitin 2017-të evidentohen 228 raste dhe në vitin që shkoi ky numër u rrit në 242 raste.