Stanishiq dhe Simatoviq në Gjykatë. Foto: MICT.

Stanishiq dhe Simatoviq ‘Kontrollonin Njësitë e Spastrimit Etnik’

Prokurori Adam Weber tha për rigjykimin e Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, i njohur ndryshe si Frenki, në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë se të pandehurit kontrollonin luftëtarët serbë që kryen spastrim etnik gjatë kohës së luftës.

“Të pandehurit përdorën kontrollin e tyre mbi institucionet serbe dhe Shërbimin e Sigurimit të Shtetit për të kryer spastrimin etnik të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Weber.

Prokurori përmendi fjalimin e Simatoviqit në një festë të përvjetorit të Njësisë së Operacioneve Speciale të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit në Serbi në bazën e saj në Kula në vitin 1997 si një nga provat kryesore.

Siç citohet nga prokurori, Simatoviq tha se njësitë serbe “morën pjesë me sukses në gjashtë operacione të përbashkëta” në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

Simatoviq gjithashtu theksoi se Sigurimi i Shtetit kishte kontroll të 26 kampeve për trajnimin e forcave serbe në të gjithë Kroacinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën.

Prokurori veçoi një skenë nga një video e festimit, ku shfaqet Stanishiq duke i treguar presidentit të atëhershëm Sllobodan Millosheviq vendet e kampeve në një hartë.

“Ne do të provojmë se forcat serbe kryen spastrime etnike brutale në ato vende”, tha Weber.

Stanishiq, ish-shefi i Sigurimit të Shtetit më Serbi dhe zëvendësi i tij, Simatoviq, akuzohen për pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synon largimin e përhershëm me dhunë të kroatëve dhe myslimanëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës, të cilat më pas do të përfshiheshin në një shtet të unifikuar serb.

Ata akuzohen për persekutim me bazë racor, fetar dhe politik, si edhe vrasje, dëbime dhe zhvendosje me dhunë të civilëve kroatë dhe boshnjakë.

Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Në deklaratën e tij të mërkurën, Weber përshkroi operacionet që u zhvilluan në Bosnje dhe Hercegovinë, ku morën pjesë njësi të ndryshme të mbështetura nga serbët – “Burrat e Frenkit” ose “Beretat e Kuqe”, “Garda Vullnetare Serbe”, e njohur edhe si “Tigrat”, e komanduar nga Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, dhe njësia “Akrepat”.

“Të gjitha këto njësi kryen krime”, tha prokurori.

Ai përmendi në mënyrë specifike vrasjen e gjashtë të rinjve boshnjakë nga Srebrenica në zonën e Trnovos në korrik të vitit 1995, e cila u krye dhe u filmua nga “Akrepat”.

Si një shembull i krimeve të kryera nga “Tigrat” e Arkanit, Weber përmendi vrasjet e 65 burrave dhe përdhunimin e një gruaje në Sanski Most në vjeshtën e vitit 1995.

Menjëherë pas kësaj, në tetor 1995, presidenti serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq, i dha Arkanit një çmim duke e falënderuar atë për kontributin e tij.