Ramush Haradinaj - Foto: Atdhe Mulla

Standardet e dyfishta të Haradinajt ndaj qeveritarëve që kanë problem me ligjin

Ramush Haradinaj nuk do të marrë asnjë veprim si Kryeministër ndaj dy ministrave të tij që u dënuan nga gjykata javën e kaluar.

Dardan Gashi dhe Endrit Shala u dënuan nga Gjykata Themelore e Gjakovës për shkak se kishin gjuajtur me armë në një aheng privat vitin e kaluar.

Kryeministri Haradinaj në një përgjigje për KALLXO.com gjatë ditës së hënë tha se Gjykata e ka dhënë fjalën e vet dhe se këtij i pamundësohet të marrë veprime politike.

“Për këta ministrat që i kish dënu me gjobë Gjykata, mendoj se Gjykata e ka kry punën e vet dhe nuk len hapësirë për ndërhyrje. Pra, është një gjobë financiare që nuk len hapësirë për ndërhyrje politike “,ka thënë Haradinaj.

Mirëpo, në të kaluarën Haradinaj ishte shprehur ndryshe.

Madje ai kishte shkarkuar një zëvendës ministër, ndaj të cilit ishte ngritur vetëm aktakuzë.

“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena. Vendimi është marrë mbi bazën e dyshimit se vepra është kryer gjatë mandatit aktiv të tij”, kishte shkruar Haradinaj më 22 tetor të atij viti.

Ndërsa në prill të vitit të kaluar, ai deklaronte se pa u shqyrtuar një aktakuzë, vendimet politike janë të hershme.

“Kurkush sot s’po mundet me i ik ligjit. Vet shpallja e aktakuzës ndaj kujtdo qoftë po e dëshmon një farë niveli tjetër në rend të ligjit. Edhe veprimet në bazë të aktakuzave janë të bazume në ligj, pra një aktakuzë që një Gjykatë nuk e ka shqyrtu, është e hershme marrja e vendimeve të nivelit tonë lidhur me këtë.”, kishte thënë Haradinaj më 13 prill të vitit të kaluar në një konferencë për media.

Mirëpo, Haradinaj nuk po i ndëshkon politikisht dy vartësit e tij të cilët Gjykata Themelore e Gjakovës, Dega në Malishevë i ka gjetur fajtor.

Ministri Endrit Shala ishte emëruar ministër pak kohë pasi që ndaj tij ishte ngritur kjo aktakuzë. Shala është i partisë së Nismës Socialdemokrate, që është partnere e koalicionit me Haradinajn.

Ndërsa Dardan Gashi nuk është pjesë e ndonjë partie politike zyrtarisht. Ai thotë se përfaqëson votën e Teuta Rugovës, e cila vazhdon të deklarohet si pjesë e grupit parlamentar të LDK-së.

Të premten, më 1 mars, Gjykata Themelore e Gjakovës- Dega në Malishevë i ka dënuar me gjobë Dardan Gashin, ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike dhe Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë për shkak të gjuajtjes me armë në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

Ministri për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi u dënua me 1700 euro gjobë, ndërsa ministri tjetër i Qeverisë, Endrit Shala nga dikasteri i Tregtisë dhe Industrisë me 2400 euro gjobë.

Pas dënimit të dy ministrave javën e kaluar, tani në Qeverinë e Kosovë mbeten edhe 3 ministra tjerë me aktakuza.

Besim Beqaj, Pal Lekaj dhe Rrustem Berisha kanë të ngritura aktakuza.

https://kallxo.com/ministrat-me-aktakuze-fshihen-pas-zbrazetive-ligjore/

 

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!