Vetura zyrtare e aksidentuar në Mitrovicë më 31 dhjetor

Stafi Qeveritar Nuk e Përfill Kryeministrin për Veturat Zyrtare

Përkundër vendimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa që të mos përdoren veturat zyrtare përveç në raste emergjente, zyrtarë qeveritarë ende po vazhdojnë që t’i përdorin ato në rrugën nga zyrat e qeverisë deri në shtëpi dhe anasjelltas.

Gjatë protestës së partive opozitare të 18 nëntorit, vetura zyrtare e të cilën e ngiste Shasivar Haxhiaj, këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, ishte dëmtuar nga protestuesit.

Menjëherë pas kësaj, kryeministri Isa Mustafa kishte vendosur që të mos përdoreshin veturat zyrtare, përveç në raste urgjente.

Por më 31 dhjetor të vitit të kalar, natën e Vitit të Ri, Faton Peci, këshilltar i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, rreth orës 15:00 është aksidentuar  në Mitrovicë, duke udhëtuar për në shtëpi.

http://kallxo.com/demtohet-vetura-e-keshilltarit-te-memli-krasniqit/

Rastin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Më 31 dhjetor 2015,  rreth orës 15:00 në rrugën ‘300 Dëshmorët e Vitit 1903’ në Mitrovicë ka ndodhë një aksident me dëme materiale. Përveç dy veturave civile ka qenë e përfshirë edhe një veturë zyrtare e cila është identifikuar të jetë e Ministrisë së Kulturës, e drejtuar nga Faton Peci”, deklaroi Zahiti.

vetura1

Peci e konfirmoi për KALLXO.com se një gjë e tillë ka ndodhë. Ai shtoi se nuk është fajtor i këtij aksidenti, pasi që sipas tij pafajësinë e tij e kanë konstatuar policët në vend të ngjarjes.

“Unë kam qenë me punë zyrtare dhe duke shkuar në shtëpi prej punës, ka qenë mesditë dikund prej punës kam dalë dikund në ora 13:00 ose 14:00 dhe duke shkuar në shtëpi, pa shku te shtëpia ka ndodhur aksidenti”, tha ai për KALLXO.com.

Për disa ditë gjatë javës, KALLXO.com ka provuar që të kontaktojë zëdhënësin e qeverisë, Arban Abrashi por ende nuk është përgjigjur rreth përdorimin të veturave zyrtare.

Pak javë më parë, vetura e një këshilltari tjetër të kësaj ministrie, Muharrem Sahiti, është djegur gjatë orëve të natës para shtëpisë së tij në Gjilan.

http://kallxo.com/digjet-vetura-zyrtare-e-keshilltarit-te-kujtim-shales/

Ndërkaq Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka konfirmuar se ka pranuar e-mail me pyetjet e KALLXO.com por nuk ka kthyer ndonjë përgjigje edhe pas disa ditë pritjeje.

Mos-respektimin e vendimit të kryeministrit  për vetura zyrtare, Peci e arsyeton me angazhimet e tij, i cili i vlerëson të kenë qenë të shumta.

“Ne i përdorim veturat zyrtare varësisht prej angazhimit të kabinetit herë pas here, kur kemi angazhim për shkak se kemi shumë aktivitete pas orarit deri në ora 19:00, 20:00 ose 21:00 unë jam nëpër aktivitete, në raste të tilla kur kemi dinamikë e marrim edhe veturën zyrtare,” deklaroi Peci.

Pavarësisht kësaj, Peci shprehet i bindur  se “në asnjë kilometër” nuk e përdorë veturën zyrtare për qëllime private.

Kushtrim Hyseni, i cili ka qenë i përfshirë në këtë aksident me automjetin e tij, tha për KALLXO.com se policia e ka gjetur atë fajtorpër këtë aksident.

“Më kanë qitë fajtor por do të vazhdoj në gjyq. Unë mendoj që nuk jam fajtor”, tha Hyseni.

vetura3 vetura4