Kryetari i FFK, Fadil Vokrri, dhe Presidenti i UEFA, Aleksander Ceferin, inspektojnë punimet në Stadiumin e Prishtinës. Foro: FFK

Stadiumi i Prishtinës Peng i Bllokadës Politike

Renovimi i plotë i Stadiumit të Qytetit në Prishtinë mund të vonohet në rast se bllokada politike në Kosovë do të vazhdojë.

Në ditën kur Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, e vizitoi Kosovën, zyrtarë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës thanë për BIRN se janë në pritje të formimit të qeverisë së re në mënyrë që të kryhen pagesat e nevojshme për renovimin e këtij stadiumi.

Sipas Eroll Salihut, sekretar i përgjithshëm i FFK-së, këto pagesa nuk mund të urdhërohen pa u formuar qeveria.

“Duhet të alokohen fonde të reja nga qeveria, por këto fonde nuk mund të bëhen pa u formuar qeveria e re”, tha Salihu për BIRN.

Kosova ende nuk e ka një stadium që plotëson kriteret e UEFA-s prandaj ekipi kombëtar i Kosovës në futboll ndeshjet si vendas deri më tani i ka zhvilluar në stadiume të Shqipërisë.

Një stadium në Mitrovicë i cili është përgatitur për ndeshje të tilla, nga UEFA po vlerësohet i papërshtatshëm për shkak të brengave të tyre në çështje të sigurisë.

Salihu pret që kjo gjendje të vazhdojë deri në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

“Presim që stadiumi (i Prishtinës) të jetë gati deri në prill të vitit të ardhshëm. Janë ende disa punë që duhet bërë”, tha Eroll Salihu.