Stadiumi i mangët, Dragashi paguan për punët që nuk janë kryer

Auditori ka gjetur se kompania e kontraktuar për të ndërtimin e stadiumit në komunën e Dragashit nuk i ka përfunduar të gjitha punët për të cilat ishte kontraktuar edhe pse ishte paguar nga komuna.

Tek projekti “Ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Dragash”, komuna ka paguar faturën për Paramasa dhe Parallogaria për projektin në vlerë 45,125 euro si dhe punimet e paparashikuara në vlerë prej 2,750 euro. Vlera totale e këtij projekti është 47,877 euro.

Bazuar në raportin e pranimit të punimeve të datës 24 dhjetor 2018 i vërtetuar nga menaxheri i kontratës dhe nga komisioni për pranim teknik të projektit i cili është caktuar nga kryetari i komunës më datë 18 dhjetor 2018, brenda kësaj paramase dhe parallogarie ishin të përfshira edhe pozicionet prej 22 deri më 28, ‘Material dhe punë që ndërlidhen me vendosjen e kubëzave’ në vlerë prej 5,217 euro.

Gjatë ekzaminimit fizik me prezencën edhe të zyrtarit komunal, Auditori ka konstatuar se punimet për këto pozicione nuk ishin realizuar nga kompania e kontraktuar. Edhe pse materialet (kubëzat, zhavori etj) që ndërlidhen me këto punime ishin në vendpunishte.

Njoftimi për kontratë për projektin “Ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Dragash” është publikuar më 8 nëntor 2018 kurse kontrata është nënshkruar më 4 dhjetor 2018.

Kompania fituese për realizimin e këtij projekti është përzgjedhur “N.T.P Altech”Vlera e kësaj kontrate është 47,877 mijë euro.

Sipas Auditorit, mangësitë e identifikuara kanë rezultuar me mos respektim të procedurave të prokurimit sipas Udhëzimit Operativ të LPP-së.

Në raport thuhet se Komuna nuk ka arritur të përmbush objektivat e planifikuara të infrastrukturës në shërbim të taksapaguesve apo kthimin e kundërvlerës për taksen e paguar të qytetarit të Dragashit. Më tej theksohet se zhvillimi i procedurave të prokurimit pa një projekt të hartuar paraprakisht mund të ndikoj që punimet e zbatuara në këto projekte të devijojnë nga kërkesat standarde të ndërtimit dhe të mos arrijnë cilësinë e duhur.

“Kryetari duhet të sigurojë se të gjitha zotimet e kontraktuara janë duke u realizuar në përpikëri dhe komfor kushteve të parashtruara, duke eliminuar pengesën para hyrjes në marrëveshje kontraktuese. Nëse përjashtimisht paraqitet nevoja për ndërprerje të kontratës duhet të ndiqen procedurat e nevojshme sikurse është paraparë me Ligjet dhe Udhëzimet në fuqi. Gjithashtu duhet të siguroj se hartimi i projekteve ekzekutive i paraprinë inicimit të aktiviteteve të prokurimit te kontratat për punë sipas kërkesave të UA nr. 1/2014”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin e vitit 2018 për Komunën e Dragashit.