Specialët vazhdojnë ta mbajnë të blinduar Aeroportin

Edhe pas largimit të dy autobusëve, njësitë speciale po vazhdojnë ta mbajnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nën mbikëqyrje të rreptë.

Nuk ka informacione nëse të gjithë të rikthyerit janë larguar nga Aeroporti.

Ndërkohë KALLXO.com ka raportuar se të rikthyerit nga Siria, gra e fëmijë, janë dërguar në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll, afër Prishtinës.

02:43

Dy autobusë kanë dalë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës rreth orës 02:30 të mëngjesit të së shtunës.

Në të janë parë gra e fëmijë të kthyer para mesnatës nga Siria, përmes një linje fluturimi nga Turqia.

KALLXO.com sjell video dhe fotografi ekskluzive nga ky zhvillim:

01:36

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka qenë në mjediset e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për ta mbikëqyrur operacionin e kthimit të disa qytetarëve kosovarë nga Siria.

Në një deklaratë të shkurtër para gazetarëve, ministri Tahiri konfirmoi se operacioni i kthimit të tyre ka përfunduar.

“Operacioni i planifikuar për kthimin e disa qytetarëve tanë nga Siria tashmë ka përfunduar me sukses. Çdo detaj tjetër do ta merrni të dielën në konferencë për shtyp në orën 10”, tha Abelard Tahiri.

“Nuk mund të jap asnjë detaj më shumë. Mund të konfirmoj se ky operacion tashmë ka përfunduar sipas planit, ashtu siç ka qenë e planifikuar muaj”, tha ai.

01:25

Qendra e Azikërkuesve në Vranidoll, fshat në periferi të Prishtinës, është vënë nën masa të rrepa të sigurisë gjatë orëve të fundit.

Pjesëtarë të njësive speciale të policisë, të armatosur rëndë, shihen rreth kësaj qendreje duke u kujdesur për sigurinë e objektit meqë aty pritet të dërgohen gratë dhe fëmijët që janë kthyer nga Siria me një aeroplan përmes Turqisë.

KALLXO.com sjell fotografi ekskluzive nga kjo qendër:

00:55

Një aeroplan i ka sjellë sonte nga Turqia një grup të grave dhe fëmijëve kosovarë të cilët me vite kanë qëndruar në vendet ku po zhvilloheshin luftime në Siri.

KALLXO.com sjell pamje ku shihet aeroplani nga Turqia duke ateruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

00:47

Tre autobusë janë në pritje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për t’i marrë të kthyerit nga Siria, gra e fëmijë, të cilët kanë ateruar para pak orësh në Kosovë.

Ata kanë qenë duke qëndruar në Siri në kohën e luftimeve, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre.

00:16

Disa orë më parë një aeroplan ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës më saktësisht në zonën VIP në të cilin, siç ka mësuar KALLXO.com gjenden disa persona të cilët janë duke u rikthyer nga Siria.

Gjithashtu KALLXO.com raportoi më parë se forca të shumta policore, të atyre speciale dhe intervenuese, kanë blinduar hyrjen e aeroportit ku priten të dalin të rikthyerit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa i cili tha se nuk ka asnjë informacion për ardhjen.

“Jo ne nuk kemi asnjë informacion. Nuk e di cka po ndodh në aeroport”, tha Ministri Mustafa për KALLXO.com.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron tash e disa orë në aeroportin e Prishtinës nga ku edhe po raportohet se brenda aerpoetit në zonën VIP kanë hyrë autobusë, autoambulanca e familjarë për të rikthyerit.

https://kallxo.com/foto-forca-policore-ne-aeroport-kthehen-kosovaret-nga-siria/

00:03

Një aeroplan nga Turqia ka ateruar para pak çastesh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës përderisa forca të mëdha policore si dhe ekipe mjekësore po qëndrojnë në mjediset e Aeroportit.

Besohet se kjo prani policore është bërë për shkak se aty po pritet ardhja e disa grave dhe fëmijëve të cilët kanë qenë duke qëndruar në Siri gjatë luftës atje, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre nga Kosova.

Më herët KALLXO.com raportoi se forca të shumta policore nga Njësia Speciale kanë rrethuar Aeroportin e Prishtinës, më saktësisht vendi ku gjendet zona VIP.

Policia ende nuk ka dhënë detaje se pse është kjo prani e Policisë në Aeroport.

Në anën tjetër, KALLXO.com mëson se disa persona janë duke u kthyer nga Siria në Kosovë.

Gjithashtu, autoambulanca e autobusë kanë hyrë në Aeroport me qëllim që t’i marrin të rikthyerit.

Policia i ka thënë ekipit të KALLXO.com që po qëndron në Aeroport të mos rrijë para hyrjes VIP.