Ajri i ndotur në Prishtinë- Foto: KALLXO.com

Sot Protestohet për Ajrin e Ndotur në Kryeqytet

Qytetarët e Prishtinës do të mbajnë sot një protestë para Teatrit Kombëtar në ora 12:00, në shenjë pakënaqësie me nivelin e ndotjes së ajrit në kryeqytet.

“Prishtina ka kohë që po radhitet në vendin me ajrin më të ndotur në botë. Ne, qytetarët të cilët jetojmë në kryeqytet, po e vërejmë më shumë se kurrë ndikimin e ajrit të ndotur në jetën tonë. HAZARDOUS – është rezultati më i shpeshtë në faqen e cila e tregon gjendjen e ajrit në Prishtinë, me një kontrollim të thjeshtë në internet”, thuhet në njoftimin për protestë.

“Një hapje e dritares e tregon realitetin e ndotjes së tmerrshme të ajrit në Prishtinë, dhe mushkëritë tona si dhe shëndeti ynë po shkatërrohet duke u ekspozuar në këtë ajër, mjegull e smog”, thuhet më tej në njoftim.

Qytetarët e Prishtinës kërkojnë që kjo çështje të merret seriozisht nga Qeveria dhe pushteti lokal, pasi nuk ka planet konkrete për zgjidhjen e problemit të ndotjes dhe se të gjithë janë viktima që nuk presin një mrekulli me shkop magjik për zgjidhjen e problemit.