Sot merret vendimi për Ligjin për Paga

Këshilltari i presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj në një përgjigje për KALLXO.COM, ka thënë se sot do të merret vendimi lidhur me  dekrektimin e Ligjit për Paga.

Sipas tij, deri tani janë shqyrtuar mundësitë dhe mënyra më e mirë e dekretimit të këtij ligji.

“Krejt çka mundem të them zyrtarisht është se brenda ditës ose brenda afatit, do të dalim me vendim, do ta bëjmë të ditur vendimin e presidentit. Na e marrim vendimin, por sidoqoftë jemi duke e shqyrtuar krejt mundësitë, në mënyrë se siç kishte me qenë ma së drejti me reagu”, ka thënë Arifaj.

Ai ka thënë se janë në dijeni se shumë sindikata dhe punëtorë e kanë kundërshtuar dekretimin e këtij ligji.

Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit ka afat prej 8 ditëve për dekretimin e një ligji. Ndërsa afati për dekretimin e Ligjit për Paga skadon sot, pasi me 2 shkurt ky ligj ka kaluar në Kuvend me 63 vota pro dhe 1 abstenim. Nëse presidenti Thaçi nuk e dekreton ligjin, atëherë i kthehet Kuvendit për rishqyrtim.

Në anën tjetër, shumë sindikata të punëtorëve të sektorit publik e kanë kundërshtuar dekretimin e këtij ligji, përfshirë këtu sindikalistët e Shërbimit Korrektues, Sindikata e Re e KEK-ut dhe Sindikata e Punëtorëve të Navigacionit Arjor.

Presidenti, sipas Kushtetutës, të drejtën e kthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë.