Mimoza Kusari- Lila, kryetare e komunës së Gjakovës/ Foto: Atdhe Mulla

Sot Mbahet Seancë për Tentim-Vrasjen e Mimoza Kusarit

I dyshuari për tentim- vrasje të kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila do të dalë sot sërish para trupit gjykues në shqyrtimin e dytë në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

Mikel Qupi akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vrasje të rëndë të lidhur me veprën bashkim kriminal të mbetur në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje.

Ai në fund të janarit u deklarua i pafajshëm.

Qupi akuzohet se u mor vesh me dy shtetas të Shqipërisë për vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës dhe një personi tjetër gjatë muajit korrik të vitit 2015.

Në ditët kur organet e rendit dhe sigurisë mësuan për një plan atentati ndaj Kusari- Lilës, ndaj saj policia angazhoi mbrojtje të afërt.

Për vrasjen e kryetares së Gjakovës, Qupi sipas prokurorisë u premtoi 300 mijë euro dy shtetasve shqiptarë.

Në aktakuzën që e ka siguruar KALLXO.com  muajin e kaluar bëhet e ditur se përveç premtimit material, Qupi ua siguroi edhe armët atyre që pritej ta vrisnin kryetaren e Gjakovës-një snajper me dy palë dylbi, njëra palë për përdorim gjatë ditës e tjetra gjatë natës, një pistoletë të tipit “Zastava” dhe një sasi prej 400 gramësh të eksplozivit C4.

Sipas aktakuzës, dy vrasjet e porositura të Qupit kishin mbetur të pakryera, pasi njëri nga të porositurit për kryerjen e këtyre krimeve ishte penduar, duke njoftuar për planet e Qupit Policinë e Shqipërisë, ndërsa më pas kjo polici kishte njoftuar Policinë e Kosovës.

http://kallxo.com/nis-gjykimi-per-vrasjen-ne-tentative-te-mimoza-kusari-liles/