Slobodan Petroviq | Foto: Facebook

Slobodan Petroviq tregon çka bisedoi me BIA-n serbe kur u ndalua në kufi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq u ndalua të shtunën në pikën kufitare në Merdar teksa po shkonte në një vizitë familjare në Beograd, aty ai është marrë në pyetje për orë të tëra nga zyrtarët e Shërbimit Informativ dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA).

Për këtë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut.

“Më kanë urdhëruar të futem në një zyrë të stacionit policor – pikës policore ku kam qëndruar deri në ora 13:30 kur kanë ardhur dy veta që janë deklaruar se janë nga BIA. Me mua kanë biseduar gjysmë ore për situatën në Kosovë, për FSK – në duke deklaruar se 130 serbë e kanë lëshuar FSK – në gjë që edhe unë e kam pohuar mirëpo kam thënë se janë afërsisht 400 serbë që kanë shprehur gatishmëri të bëhen ushtarë të FSK – së. Kanë pyetur për Radoiçiqin dhe qëndrimin tim pse jam deklaruar kundër ngujimit të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Kam thënë se ne serbët nuk jemi të rrezikuar nga shqiptarët dhe se jam deputet i Kuvendit të Kosovës me vota të qytetarëve sikur që punoj në përputhje me mandatin që e kam si deputet dhe në bazë të ligjeve të vendit. Kam kërkuar të më tregojnë nëse jam i arrestuar dhe cilat janë arsyet që më kanë ndaluar dhe nuk më lejojnë ta vazhdojë udhëtimin. Më kanë mbajtur deri në ora 16:00 për të më liruar, pa kërkuar nga unë ta nënshkruaj ndonjë deklaratë apo dokument tjetër. Për shkak të pasigurisë dhe rrethanave të krijuara jam kthyer për Kosovë, ndonëse kisha planifikuar t’i marrë anëtarët e ngushtë të familjes që ishin në Serbi, për një festë fetare”, ka thënë Petroviq për KMDLNj-në.

Sipas një komunikate për medie nga KMDLNj thuhet se ndaj Sllobodan Petroviqit po bëhet presion dhe këtë ndalim dhe marrje në pyetje e konsideron si presion për frikësim për shkak të angazhimit të tij politik dhe qëndrimit kundërshtues ndaj veprimeve të LS dhe ekstremistëve të të gjitha ngjyrave.

“Petroviq është rast eklatant i shkeljes elementare i të drejtave të njeriut, lirisë së lëvizjes dhe ndalimit arbitrar”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

KMDLNj përmes kësaj komunikate fton të gjitha organizatat për të drejtat e njeriut në Kosovë dhe Serbi të reagojnë kundër dhunës psikike ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës Petroviq sikur që kërkon nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ta ngrejnë zërin e protestës dhe të kundërshtojnë presionin që Serbia ua bënë serbëve të Kosovës në përgjithësi kurse, në rastin konkret Petroviq në veçanti.

Gjithashtu KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj që këto shqetësime dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës t’i adresojë te faktorët ndërkombëtarë për faktin se sipas tyre po ndikojnë në ngritje të tensioneve dhe po shkaktojnë pasiguri te qytetarët serbë të Kosovës që janë të integruar apo duan të integrohen në institucionet e Kosovës.