Takimi Hyseni-Sobotka | Foto: KALLXO.com

Skender Hyseni: Absurde Fletarrestet e Serbisë

Skender Hyseni, ministri i Punëve të Brendshme pas takimit me homologun e tij austriak Wolfgang Sobotka, foli mes tjerash edhe për fletarrestet e Serbisë nëpërmjet INTERPOL-it për qytetarët e Kosovës.

“Fletarrestet absurde të Serbisë janë krejtesisht politike e të manipuluara. Ato akuza jane spastruar njëhere nga Tribunali i Hages,” tha Hyseni.

Lideri i AAK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit Ramush Haradinaj u arrestua në Francë më 4 janar në bazë të një fletarresti të Serbisë të vitit 2004 të dërguar në INTERPOL.

Haradinaj dje nga gjykata franceze u lirua me kusht, por duhet të qëndrojë në shtetin francez, derisa ky shtet të vendosë në lidhje me kërkesën e Serbisë për ekstradim.

KALLXO.com i shtroi pyetje ministrit austriak Sobotka nëse Austria do të respektojë fletarrestet e tilla për ish-pjesëtarët e UÇK-së, nëse të tillët do të hyjnë në shtetin austriak.

Kësaj pyetjeje Sobotka iu përgjigj në mënyrë diplomatike.

“Nuk është çështje e politikanëve që t’i shohin dosjet e drejtësisë, por me veprimet që mund t’i marrë politika, gjykatat e kanë me të lehtë të marrin vendime,” tha Sobotka.

Ministri austriak tha se është në Kosovë për t’i ndihmuar anëtarësimit të saj në organizatat policore, ndërsa ministri Hyseni tha se Sobotka e përkrah anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Kosova aplikoi për anëtarësim në INTERPOL por në nëntor të vitit 2016 kërkesat e Kosovës, Palestinës dhe Ishujve Solomon u anuluan.

Skender Hyseni tha se Kosova plotëson kushtet për të qenë pjesë e INTERPOL-it.

“Kosova i ka bëre te gjitha veprimet e mundshme qe të bëhet anëtare e INTERPOL-it. Kosova është e përgatitur në aspektin e policisë më shumë se 30 për qind e shteteve anëtare të INTERPOL-it në botë,” tha Hyseni.

Sobotka në konferencën me Hysenin foli edhe për luftën kundër terrorizmit.

“Çdo shtet i Europës duhet ta dijë që mund të jetë potencialisht cak i sulmeve terroriste, andaj duhet të jemi të përgaatitur për t’i ndaluar ato,” tha ministri austriak Sobotka.

Edhe Hyseni deklaroi se e siguroi ministrin Sobotka se “ne do të vazhdojmë me të njejtin përkushtim që ta luftojmë terrorizmin ne Kosovë”.