Kadri Veseli, Besim Beqaj e Bedri Hamza - Foto: KALLXO.com

Skandaloze: Ministria e Besim Beqajt pagoi dyert pa u vendosur

Auditori i përgjithshëm ka zbardhur disa shkelje që janë bërë nga Ministria e Inovacionit në menaxhimin e kontratës për “Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, renovimi i Qendrës së Kulturës”.

Kjo ministri ka paguar para të taksapaguesve ndaj një biznesi për punët dhe shërbimet e parealizuara. Në total, Auditori thotë se janë paguar 28 mijë euro për punët të cilat nuk janë realizuara fare përkundër që kanë qenë të parapara në kontratë.

Auditori ka testuar pagesën në vlerë 134,645 euro, të këtij projekti në Ferizaj që ka vlerën 149,620 euro, dhe ka gjetur se këto pozicione të cilat ishin lëshuar në dokumentacionin financiar për pagesë si të përfunduara nga operatori ekonomik dhe të verifikuara nga menaxheri i projektit i komunës, nuk ishin kryer.  

Pozicionet e paguara, por të pa përfunduara, ishin disa nga punët e meremetimit dhe sistemi i ngrohjes dhe ftohjes.

Sipas Auditorit, në projektin “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, renovimi i Qendrës së Kulturës” mungojnë punët në pozicionin numër 8, 18, 19 dhe 22.

Në pozicionin numër 8, mungon krijimi i rampave sipas standardeve, në korridorin kryesore me disnivel prej 70cm, në dy nivele, me vlerë 840 euro. 

Auditori ka gjetur se ministri i ka paguar 2,800 për dyer që nuk janw vendosur fare.

“Në pozicioni numër 18, mungon furnizimi dhe montimi i dyerve të reja nga materiali i njëjtë me ato ekzistuese me dimensione 90 me 220cm, me vlerë 2,800 euro  (35copë nga 80 euro = 2,800 euro)”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tek pozicioni numër 19, sipas Auditorit mungon furnizimi dhe montimi i derës për dalje emergjente me hapje nga hapësira, me vlerë 150 euro.

Ndërsa te pozicioni numër 22, mungon përpunimi i dyshemesë nga parketi dhe sipas nevojës të ketë ndërhyrje nëpër vende të caktuara me qëllim përmirësimin e parketit, në vlerë 990 euro.

Punët e mangëta te sistemi i ngrohjes dhe ftohjes 

Përveç punëve të papërfunduara në meremetim, Auditori ka evidentuar mangësi edhe te disa pozicione te sistemi i ftohjes dhe i ngrohjes. Punët e papërfunduara janë evidentuar në pozicionet 3, 4 dhe 6.

Në pozicionin numër 3, sipas Auditorit mungojnë mbrojtëset për borë që vendosen mbi VRF nga llamarina e zinguar, në vlerë 180 euro. 

Sipas Auditorit, në pozicionin numër 4, mungojnë ventilatorë konvektor kasetore VRF, tërheqje të ajrit në mes dhe prurja në të katër anët e maskës së ventilator konvektorit, për montim në lartësi maksimale për ngrohje deri në 3.5m, me maskë, pompë për kondenzator, me mundësi të lidhjes në BMS, me fuqi termike në ftohje 7.10Kw, fuqi termike në ngrohje 8,00Kw, në vlerë 1700 euro.

Ndërsa te pozicioni numër 6, sipas Auditorit, mungojnë ventilatorë konvektor kasetore VRF, tërheqje të ajrit në mes dhe prurja në të katër anët e maskës së ventilator konvektorit, për montim në lartësi maksimale për ngrohje deri në 3.5m, me maskë, pompë për kondenzator, me mundësi të lidhjes në BMS, me fuqi termike në ftohje 3,60 Kilovat, fuqi termike në ngrohje 4,00 kilovat, në vlerë 21,700 euro (31 copë nga 700 euro =21,700 euro). 

Si përfundim, vlera e pozicioneve të identifikuara, të cilat janë paguar por nuk janë kryer ishte 28,360 euro.  

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së përgjegjësisë për punën e kryer nga mbikëqyrësi i projektit, dhe si pasojë e neglizhencës së menaxhmentit për të mbikëqyrur projektin e financuar nga MIN”, thuhet në raportin e auditimit.

Në marrëveshjen mes Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komunës së Ferizajt për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj” në vlerë 373,231 euro, ka pasur obligime për të dyja palët. 

Sipas Auditorit, të dy palët nuk ishin respektuar këto pika të marrëveshjes, me ç`rast Ministria nuk kishte caktuar zyrtarin për mbikëqyrje të realizimit të projektit dhe as Komuna nuk kishte njoftuar Ministrinë për rrjedhat e realizimit të projektit.  

Sipas marrëveshjes Ministria është dashur të caktojë një zyrtar për mbikëqyrjen e realizimit të projektit nga fillimi deri në përfundim të kontratës.

Komuna është dashur të emërojë projekt menaxherin/organin mbikëqyrës i cili me përgjegjësi të plotë vërteton sasinë dhe kualitetin e punëve të kryera në bazë të të cilave operatori ekonomik lëshon dokumentin financiar me kërkesë për pagesën e punëve të kryera në bazë të kushteve të kontratës. 

Komuna është obliguar që të njoftoj Ministrinë për rrjedhat e realizimit të projektit sipas një plani dyjavor deri në përfundim të projektit. 

Në raportin e auditimit për vitin 2018 thuhet se mungesa e zyrtarit mbikëqyrës nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe në anën tjetër mos raportimi nga Komuna, rrezikon realizimin e projektit sipas cilësisë së duhur dhe mund të jetë faktor i mos realizimit të projektit deri në këtë fazë.  

Më tej thuhet se nënshkrimi i raporteve nga menaxheri kontratës së Komunës së Ferizajt, para se punimet e kontraktuara të jenë kryer, rritë rrezikun e dëmtimit të buxhetit të ministrisë si dhe mos përfitimin e vlerës për para. 

“Ministri duhet të ndërmerr masa për caktimin e zyrtarit mbikëqyrës të projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë’, i cili në bashkëpunim me komunën të siguroj se projekti realizohet në afat sa më të shpejtë në mënyrë që kjo qendër të filloj funksionimin e saj. Po ashtu, të siguroj se pozicionet të cilat janë paguar dhe nuk janë përfunduar, të finalizohen në pajtim me kontratën, në të kundërtën, për punët e pa përfunduara të kërkoj kthimin e mjeteve në buxhetin e ministrisë”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.