Skandali për miton 800 mijë euroshe, Prokuroria: Jemi duke trajtuar rastin

Prokuroria e Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda- Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion është duke e hetuar pretendimet e biznesmenit, Sabri Maxhuni (Novosella) për kërkim të ryshfetit.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zyra për medie e Prokurorisë së Prishtinës.

Biznesmeni Sabri Maxhuni (Novosella) po pretendon se zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i kanë kërkuar 800 mijë euro ryshfet për t’i lejuar investimet në Brezovicë

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, është duke e trajtuar të njëjtin rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Në një intervistë për KALLXO.com, vetë biznesmeni dhe pronari i banjës “Nëna Naile”, Sabri Novosella ka rrëfyer për rastin.

Biznesmeni, i cili ka edhe nënshtetësi suedeze, tashmë është intervistuar nga hetuesit e Policisë së Kosovës ndërsa ka thënë se rastet e kërkimit të ryshfetit për të nuk janë befasi.

Prokuroria nuk ka dhënë shumë detaje rreth personave që po intervistohen dhe hetohën për shkak të mos dëmtimit të hetimeve por ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjnë me kohë.

“Prokurori i rastit, është duke i  zhvilluar hetimet me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të kësaj çështje penale, andaj për epilogun e veprimeve të mëtejshme dhe personat e përfshirë në këtë rast do të njoftoheni me kohë, pasi që çdo informatë shtesë mund t’i dëmtoj hetimet lidhur me këtë çështje penale”, thuhet tutje në përgjigjen e zyrës për media të Prokurorisë.

Për këtë rast ishte deklaruar edhe ministri aktual i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Ai kishte kërkuar që organet e hetuesisë ta ndjekin dhe zbardhin këtë rast.

Ai ka treguar në hollësi prej kur kishte filluar çështja e ndërtimeve në Brezovicë.

“Milaim Zeka ato që i tha në Kuvendin e Kosovës, pikë për pikë janë të vërteta. Milaim Zeka para disa dite ishte te unë rreth asaj punës që e përgatitë për hapjen e partisë, dhe më pyeti sepse e dinte rastin: Baci Sabri çka u bë me atë hotelin në Brezovicë? I thash kurrgjë s’u bë, thash përveç hotelit i kam edhe pesë ndërtesa, kemi një kompleks. Më tha: E pse? Unë i thash Milaimit, po jo me thanë aq në besë por thjeshtë nuk e dija që po del në Kuvend, edhe pse që doli në Kuvend bëri shumë mirë, i thash: Milaim m’i kanë kërkuar 800 mijë euro për leje nëpërmjet një përfaqësuesit tim”, ka thënë biznesmeni Sabri Novosella.

Fillimisht, biznesmeni kishte blerë tokën, pastaj kishte ideuar një plan për ndërtimin e një kompleksi banesor, ku ishte paraparë të ndërtohej edhe një hotel.

Për ndërtimin e tyre kishte kërkuar fillimisht leje në Komunën e Shtërpcës. Por, ndërkohë ai e kishte kaptuar se leja për ndërtimet mbi tre kat lëshohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Në vitin 2011 shkova në Brezovicë, kisha dëshirë të bëjmë diçka, rashë në kontakt, mora lidhjet, i bleva shtatë troje, të gjitha dokumentet i kam këtu, i kanë edhe në Komunën e Shtërpcës, edhe Ministria e Ambientit. Menjëherë filloi problemi me leje, m’i pranojshin, s’m’i pranojshin dokumentet, u bë gazepi. Kryeministri Haradinaj shkoi në Brezovicë dhe zhbllokoi 63 troje që njerëzve u janë marrë e edhe trojet e mija i zhbllokoi, shtatë trojet e mia. Ato i bashkova i bëra një truall, meqë i kisha projektet dhe në dhjetor të vitit të kaluar (2018), bëra kërkesën për ndërtimin e pesë ndërtesave, hotel krejt kompleksin dhe i dorëzova. Është rregull që pa i plotësuar të gjitha dokumentet ata nuk i pranojnë dokumentet, kur plotësohen çdo gjë i çova, e bëra një pagesë për pranimin e dokumenteve, shkova në bankë i pagova 1 mijë e 840 euro të cilat janë të dokumentuara. Tash mbeta në pritje, bile edhe aty me tha ai që i pranon dokumentet, tha: Baca Sabri lejen e ke të garantune pasi që çdo gjë është kryer edhe me kohë edhe konform ligjit”. Kjo ka ndodhë në Komunën e Shtërpcës sepse ashtu shkon, ajo ishte në kuadër të Komunës. Pasi prita ca kohë, e dërgova një përfaqësues timin me u interesu se pse ndodhi vonesa. Ata e njoftojnë që lënda e juaj ka shkuar komplet, e ka marrë Ministria e Ambientit, se ndërtimet deri në tre kat për vila i jep Komuna e Shtërpcës kurse për objektet e larta, duhet me dhënë pëlqimin Ministria e Ambientit”, ka shpjeguar Maxhuni për KALLXO.com.

Intervista e plotë e Sabri Novosellës dhënë ekslizivisht për KALLXO.com:

.