Skandali me patentë-shoferë: Cilët ekzaminues dyshohen se mbushnin testet e kandidatëve

Afera e patentë-shoferëve në Prishtinë ishte ndër temat kryesore gjatë këtij muaji në vend.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, shpërfaq mënyra të ndryshme të kalimit të testeve me marrëveshje paraprake në mes të kandidatëve dhe zyrtarëve përgjegjës për testet për patentë-shoferë.

Në këtë dosje Prokuroria pretendon se zyrtarët ekzaminues në vazhdimësi plotësonin teste shabllon pas marrëveshjeve me kandidatë të ndryshëm.

Personat të cilët po dyshohen për plotësimin e testeve janë : Naser Bislimi, Adem Binakaj, Eduard Brahimaj, Azem Miftari, Agim Restelica, Flamur Lekaj dhe Laurat Shehu.

Ekzaminuesi Adem Binakaj dyshohet edhe se kishte hyrë në zyrën e Naser Llugaliut, koordinator për patentë-shofer në Ministrinë e Infrastrukturës bashkë me një kandidat, të cilit ia kishte dhënë një test dhe i kishte diktuar përgjigjet e sakta.

Ata dyshohen se në vazhdimësi deri më 5 korrik 2019 kanë mbushur testet në bazë të marrëveshjeve me kandidatë.

Prokuroria e Prishtinës pretendon se listat e kandidatëve kontrolloheshin para se kandidatet t’i nënshtroheshin testit.

Drejtoresha e Qendrës së patentë-shoferëve në Prishtinë, Filiz Krasniqi, dyshohet se bashkë me ekzaminuesin Azem Miftari i kanë shikuar listat e kandidatëve me qëllim të identifikimit të personave për të cilët kanë pasur rekomandime t’i kalojnë në pjesën teorike.

https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-ekzamineri-i-dikton-kandidatit-testin-e-patente-shoferit/

Prokuroria pretendon se Krasniqi mbante disa kopje të listave të personave që kanë për t’iu nënshtruar testit teorik dhe i kishte diktuar disa emra Fejzullah Ejupit, i cili ishte në pozitën e zyrtarit administrativ, të cilët i kishte shenjëzuar në listën e kandidatëve.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se Naser Llugaliu bashkë me Filiz Krasniqin e kishin shikuar një folder me ngjyrë të zezë, të cilin ua kishte sjellë e dyshuara Filloreta Ajvazi dhe e kishin nxjerrë një test nga dosja dhe e kishin shikuar.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari Naser Llugaliu ishte i kujdesshëm pasi folderin e kishte prekur me një letër nga frika e mbetjes së gjurmëve të gishtave.

Në lidhje me atë dosje, Filiz Krasniqi  i kishte thënë Filloretës: “Shko shtine diku këtë dosje kishe ti nuk din sen”.

https://kallxo.com/skandali-i-patente-shofereve-pergjimet-e-policise-zbulojne-format-e-plotesimit-te-testeve/

Gjatë muajit korrik, Policia e Kosovës kishte arrestuar 23 persona në lidhje me këtë aferë.

Prokuroria e Prishtinës kishte kërkuar paraburgimin për 19 nga të arrestuarit ndërsa Gjykata e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj tyre kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Të gjithë të dyshuarit në seancën dëgjimore ishin deklaruar të pafajshëm për pretendimet ndaj tyre.

Në lidhje me këtë aferë disa ditë më parë u arrestuan edhe dy zyrtarë policorë të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.

Ata u arrestuan nën dyshimet për manipulim me provat e rastit të patentë-shoferëve.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi  se në lidhje me ketë aferë janë intervistuar edhe tre zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.