Ramush Haradinaj -kryeminister

Skandali i Haradinajt: I kërkoi prokurorit Blakaj raport me shkrim duke i kufizuar afatin e hetimeve (Dokument)

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dje në konferencën për media tregoi që ia kishte ofruar të gjithë zyrën e tij ish prokurorit Elez Blakaj për nevoja të hetimit për listat e veteranëve.

Madje këtë Haradinaj e kishte bërë edhe përmes një letre zyrtare të nënshkruar nga vet ai, ku i ofron pa asnjë pengesë qasje në të gjithë në arkivin e zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Këtë letër, Haradinaj ia kishte dërguar në atë kohë prokurorit Elez Blakaj më 26 shtator të viti 2017, vetëm pak javë pasi që Haradinaj ishte ardhur në krye të Qeverisë.

Haradinaj në letër shkruan se kjo qasje po i jepet prokurorit Blakaj për qëllim të numërimit dhe evidentimit të listave për interes të hetimeve.

Gjithashtu kryeministri e njofton se askush nga zyra e Kryeministrit nuk do të ndërhyjë në procesin e hetimeve.

Hetimet ishin planifikuar të zgjasin 30 ditë, ndërsa pas përfundimit, Kryeministri kishte kërkuar që Prokurori t’ia dorëzojë atij raportin e hetimeve dhe konstatimet e tij.

Gjatë kohës që dy hetuesit kanë qenë në zyrën e arkivave, ajo është pajisur me kamera dhe është ndërruar cilindri i derës së zyrës së Arkivit ku ndodhej dokumentacioni.

Avni Arifi nga zyra e Kryeministrit e ka konfirmuar këtë letër që Haradinaj ia kishte dërguar prokurorit Blakaj.

“Kjo një ditë pas kërkesës së prokurorit për këto shërbime. Kërkund në botë nuk ndodh që Kryeministri krejt kërkesat i plotëson brenda 24 orë”, tha Arifi për KALLXO.com

Kërkesa e kryeministrit për të dhënë raport bie ndesh me parimet kushtetuese të pavarësisë së prokurorëve të cilët janë të obliguar që për punën e tyre t’i raportojnë vetëm Këshillit Prokurorial dhe subjekteve të tyre të hetimit dhe atë në fund të procesit hetimor.

Në këtë rast prokurori nuk kishte obligim ta njoftonte kryeministrin Haradinaj për rrjedhën e hetimit të tij e po ashtu rezultatet e hetimeve.

Prokurori Blakaj u largua nga pozita e tij duke shkruar një letër të gjatë publike ku tregonte se ishte nënë presion të gjithanshëm.

Shkresa e Haradinajt tenton ta kufizojë prokurorin edhe në afatet ligjore të hetimit duke nënvizuar se hetimi do të zgjasë vetëm 30 ditë.

Sipas Kodit Penal hetimet e prokurorisë mund të zgjasin deri në 24 muaj dhe vendimet për zgjatjen apo shkurtimin e afateve të hetimit merren vetëm nga gjykata.