Ilustrim

Skandal - I arrestuari për drogë arratiset nga Stacioni i Policisë

G.B., i arrestuar për drogë ka ikur nga Stacioni i Policisë në Mitrovicë.

KALLXO.com merr vesh se i njëjti ishte arrestuar të shtunën së bashku me tre persona tjerë: L. B., A. B. dhe B. H., pasi ishin kapur me drogë.

Të njëjtit para se të arrestoheshin kishin filluar ta gjuanin drogën nga vetura, mirëpo pas bastisjes nga ana e Policisë të njëjtëve u ishte gjetur një sasi e drogës dhe një revole.

KALLXO.com merr vesh se lidhur me arratisjen e G. B. nga Stacioni i Policisë dy zyrtarë të Policisë janë suspenduar nga detyra dhe janë duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Përkundër ndjekjes së të arratisurit nga Stacioni i Policisë, i njëjti nuk është arritur që të kapej.

“Policia ka njoftuar se pas intervistimit të tyre në ambiente të policisë në Mitrovicë, me aktvendim të prokurorit, të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit policor. Gjatë dërgimit të tyre për në Qendrën e  Mbajtjes që është aty afër (përballë Stacionit Policor),  njeri nga të dyshuarit (G.B.)  ka arritur të arratiset. Njësitet policore i janë vënë në ndjekje, por nuk kanë arritur ta arrestojnë. Gjatë ndjekjes një zyrtar policor ka pësuar lëndime“, thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë për KALLXO.com.

“Në lidhje me këtë rast ndaj  dy zyrtarëve të DHTN-së, në bazë të legjislacionit në fuqi, u janë iniciuar procedura disiplinore-hetimore. Për rastin është njoftuar IPK-ja. Dy zyrtarët policorë janë suspenduar për 48 orë. Rastin ndaj policëve është duke e trajtuar IPK-ja, ndërsa rastin ‘Arratisje’, po e trajton Stacioni Policor JUGU në Mitrovicë. Nga organet e drejtësisë për të dyshuarin e arratisur G.B. është kërkuar lëshimi i  Urdhëresë për Letër-reshtim”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Si kishte ndodhur rasti të shtunën më 20 korrik?

Të shtunën me 20 korrik Policia e në Mitrovicë, rreth orës 18:45 min kishte ndaluar automjetin Ford Mondeo, në të cilin kishin qenë katër persona tani të dyshuar për kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.

Automjeti kishte qenë duke u drejtuar nga i pandehuri G. B., kurse me të në veturë kishin qenë edhe tre të pandehurit tjerë L. dhe A. B., B. H.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të lartcekurit duke e ditur se po transportonin substanca narkotike, kishin filluar ta hedhin nga dritarja e makinës këtë sasi të substancave me qëllim të fshehjes dhe mos diktimit nga Policia.

Kurse pas ndalimit nga Policia, në pjesën ku vendosen këmbët ne veturë ishte gjetur substancë narkotike e llojit marihuanë dhe një revole.

Sasia e gjetur e narkotikëve të cilën sipas prokurorisë kishin qenë duke e transportuat të dyshuarit kishte peshën 64.37 gram, ndërsa ishte fshehur në pjesë të ndryshme të veturës, duke përfshirë edhe radion e makinës.

Rreth orës 00:50 derisa Policia ka qenë duke e shoqëruar nga zyrat e Drejtorisë për hetimin e narkotikëve për në dhomat e mbajtjes ne stacionin policor jug, i pandehuri G. B. u kishte ikur policëve dhe është vënë në arrati, ky zyrtarët e NJRSh janë vënë në ndjekje por i njëjti nuk është arritur të arrestohet.

Ndërsa Gjykata e Mitrovicës tre të pandehurve të mbetur L. dhe A. B., B. H. pas mbajtjes së seancës paraprake iu ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.