Shkumbin Mehmeti dëshmon në gjykimin e Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit - Foto: KALLXO.com
Skandal: Dëshmitari i vrasjeve të pasluftës bartet në një furgon me Bedri Krasniqin
Në gjykimin e Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit, të akuzuar për vrasjen e zyrtarëve policorë të UNMIK-ut, ngjarje kjo e cila ka ndodhur në vitin 2004, në cilësi të dëshmitarit ishte i dënuari për këtë rast, Shkumbin Mehmeti.
Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, e kishte shpallur fajtor Shkumbin Mehmetin për sulmin ndaj zyrtarëve të UNMIK-ut. Gjykata e kishte dënuar me 30 vjet burgim.
Ndonëse ishte e paraparë që Shkumbin Mehmeti të dëshmonte sot, kjo nuk qe e mundur.
Kjo për shkak se dëshmitari Mehmeti, i cili aktualisht është në vuajtje të dënimit, tha se po ndjehej i shqetësuar dhe i kërcënuar.
“Unë ndihem i shqetësuar dhe i rrezikuar nga mosmbrojtja e shtetit ndaj meje e posaçërisht nga oficerët korrektues”, u shpreh Mehmeti.
Shkumbin Mehmeti deklaroi se gjatë rrugës për në Gjykatë, ai ishte sjellë në një makinë së bashku me të akuzuarin Bedri Krasniqi nga i cili tha se gjatë rrugës kishte marrë kërcënime.
Lidhur me këtë, ai shqetësimin e tij e ngriti edhe ndaj prokurores së rastit, Habibe Salihu.
“Unë kam pasur disa fjalë prej Bedrisë gjatë rrugës. Prokurorja ka refuzu me më dhënë mbrojtje”, u shpreh dëshmitari.
“Dëshmia ime ka fillu më vitin 2012, kam fillu me bashkëpunu me Policinë e EULEX-it. Unë nga viti 2012 mbahem i izoluar. Atëherë unë jam zhvendosur prej burgut të populluar dhe jam veçuar me një kërkesë të prokurores së EULEX-it Ema Rizzato të cilën e posedoj me vete. Unë që nga ajo kohë mbahem i izoluar pa asnjë kontakt me të burgosurit. Kam kërkuar takim me prokuroren e rastit për t’u qartësuar statusi im për shkak se Shërbimi Korrektues më konsideron si dëshmitar të mbrojtur për shkak të asaj urdhërese”, shtoi më tej Mehmeti.
Ai tha se vetë personalisht kishte kërkuar t’i hiqej statusi i dëshmitarit të mbrojtur për shkak të, siç tha, “humbjeve të privilegjeve”.
“Prokurorja e rastit ka refuzu, e kam shkresën që nuk dëshiron të takohet me mua. Është e çuditshme që pas 7 viteve unë sot gjatë transportit takohem me të akuzuarin Bedri Krasniqi dhe vij me një kombi me të. 7 vite asnjë i burgosur nuk ka mundur të flasë me mua ndërsa sot sillem bashkë me të burgosurin në rastin që unë jam dëshmitar kundër tij”, deklaroi Shkumbin Mehmeti.
Mehmeti trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Isuf Makolli i tha se për shkak të papërgjegjësisë së Shërbimit Korrektues dhe prokurores ai sot ndihet shumë i shqetësuar dhe nuk do të mund të japë dëshminë e tij.
“Unë jam duke u dënuar se jam dëshmitar nga i gjithë sistemi. Asnjëherë nga burgu nuk jam lëvizë pa jelek mbrojtës. Sot më kanë sjellë këtu pa jelek mbrojtës. Këtu tash kur erdha më thanë a do me e veshë. Unë ndjehem shumë i shqetësuar dhe i rrezikuar. Jam i palëkundur në dëshminë time por unë sot nga papërgjegjësia e prokurores dhe oficerëve korrektues nuk mund të dëshmojë sot. Jam shumë i shqetësuar, ndjehem shumë i rrezikuar”, u shpreh Mehmeti.
Arsyeja se pse Shërbimi Korrektues është duke e konsideruar si dëshmitar të mbrojtur, Mehmeti tha se është për shkak të një shkrese që prokurorja e EULEX-it Ema Rizzato ia kishte dërguar burgut të Dubravës, prandaj ai kërkoi nga prokurorja e tashme e rastit, Habibe Salihu, që ta qartësojë statusin e tij.
Lidhur me këtë prokurorja e rastit Habibe Salihu tha se në shkresat e lëndës të cilat ajo i posedon, nuk ekziston asnjë shkresë në të cilën konstatohet se Shkumbn Mehmeti është dëshmitar i mbrojtur.
Prokurorja Salihu tha se Mehmeti mund të jetë dëshmitar i mbrojtur në një rast tjetër por në këtë rast jo.
“Qe 7 vjet flas veç me mure, me asnjë njëri nuk flas hiç. Unë kërkoj që ky urdhër me u shfuqizu se unë jam duke u maltretuar në emër të sistemit të drejtësisë”, i tha Shkumbin Mehmeti prokurores.
Përderisa Mehmeti ishte duke i treguar prokurores se si ishte sjellë sot në Gjykatë, reagime pati edhe nga ana e të akuzuarit Bedri Krasniqi.
“Edhe unë jam i rrezikuar se më kanë fut në një kombi me një dëshmitar që mundet me qenë cak i sulmeve… Aaa… prokurore, jua ka ndal Hashimi e Ramushi, s’po guxoni cik me bo. Unë kërkoj që Policia me e hetu këtë rast. Ai me akuzoi se e kam kërcënu e ti nuk më pyet asgjë. Në asnjë formë nuk kam pasur asnjë lloj kontakti fizik me të”, u shpreh i akuzuari Bedri Krasniqi.
Ndonëse kohë pas kohe përderisa Shkumbin Mehmeti fliste, disa herë pati momente kur i akuzuari Bedri Krasniqi reagonte nga vendi.
“Unë pas kërcënimeve që i mora direkt nga i akuzuari Bedri Krasniqi gjatë rrugës derisa na transportonin prej burgut të sigurisë së lartë i akuzuari ma tregoi edhe adresën e familjes time ku gjinden dhe çka punojnë. Më rekomandoi të kujdesem për ta. Kërkoj të shtyhet kjo seancë së pari për siguri të familjes sime se për vete nuk e kam problem”, tha Mehmeti.
Por, Bedri Krasniqi e kundërshtoi pretendimin e Shkumbin Mehmetit se ai e kishte kërcënuar atë tek sa po vinin në Gjykatë.
Krasniqi madje e ironizoi deklaratën e Mehmetit me koment të tipit si: ”AKI-ja ma ka tregu”.
Tutje Shkumbin Mehmeti tha se ai së pari duhet ta diskutojë me familjen e tij këtë çështje se a janë të aftë ata me i bë ballë rrezikut e pastaj tha se kur të do Gjykata mund të caktojë seancë tjetër.
“Hajde more te unë se rrimë bashkë kënaqemi… Jo more shokë jemi, por po bon hajgare”, ishte përsëri reagimi i të akuzuarit Bedri Krasniqi.
E për çudi përkundër disa komenteve që pati nga ana e të akuzuarit Bedri Krasniqi kundrejt dëshmitarit Shkumbin Mehmeti, nuk pati asnjë reagim nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Isuf Makolli, i cili në asnjë moment nuk ua tërhoqi vëmendjen palëve që të mbajnë qetësi në sallë.
E lidhur me pretendimin e Shkumbin Mehmetit i cili tha se rrugës për në Gjykatë ishte kërcënuar nga ana e të akuzuarit Bedri Krasniqi, zyrtarët nga Shërbimi Korrektues të pranishëm në sallë të Gjykatës thanë se një gjë e tillë nuk është e mundur.
Sipas njërit prej tyre, ndonëse të dy kanë qenë në një makinë, përballja e tyre fizike ka qenë e pamundur pasi që sipas zyrtarit makina është e ndarë në dy pjesë dhe asnjëra palë nuk mund ta shohë palën tjetër përgjatë transportit. Zyrtari korrektues madje i ofroi Gjykatës që t’i shikojë edhe filmimet në momentin që i dënuari dhe i akuzuari janë futur në makinë me qëllim që të vërtetohet nëse Mehmeti dhe Krasniqi janë takuar me njëri-tjetrin.
Në pamundësi që Shkumbin Mehmeti të japë dëshmi ditën e sotme, seanca e radhës u shty për më 28 maj.
https://kallxo.com/cecarelli-vendimi-supremes-turp-per-drejtesine-e-kosoves/
Ky rast gjyqësor ka të bëjë me vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe tentim vrasjen e dy zyrtarëve tjerë të UNMIK-ut që ka ndodhur më 23 mars 2004 gjatë trazirave të cilat kishin filluar pas pretendimeve për mbytjen e dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas aktakuzës, më 23 mars 2004, një patrullë e UNMIK-ut ishte sulmuar në Podujevë, në rrugën për në Prishtinë. Një grup i madh i personave shkrepën disa plumba ndaj patrullës së UNMIK-ut duke vrarë vozitësin, policin e UNMIK-ut Possible Essuman dhe zyrtarin e Policisë së Kosovës, Arsim Rrustolli, i cili ishte në ulësen e përparme të udhëtarit, si dhe pësuan lëndime nga plumbat e shkrepur zyrtari policor i Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli, të cilët ishin në ulësen e pasme.
https://kallxo.com/dorezohet-aktakuza-per-te-pandehurit-e-trazirave-te-marsit/
Të akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, ka nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre.
Në vendimin e Supremes thuhet se Bajram Kiqmari e Faik Shaqiri lidhur me këtë rast janë gjykuar disa vite më parë dhe se ndaj tyre ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve.
Me 9 nëntor 2007, Gjykata e Qarkut e Prishtinës e kishte shpallur fajtor Shkumbin Mehmetin për sulmin ndaj zyrtarëve të UNMIK-ut.