S'ka vendimmarrje për Tribunalin: Veseli thirrje LDK-së dhe VV-së të kthehen në Kuvend

Pas përfundimit të debatit për formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje.

Sot gjatë seancës sallën e kishin lëshuar partitë opozitare LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa, pas diskutimeve nga ana e deputetëve të partive në pushtet, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, u ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së të kthehen në Kuvend dhe të marrin pjesë në votimin për formimi e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë,

“Unë për fund kam këtë thirrje për vëllezërit tanë të opozitës nga LDK dhe VV. Është mirë me qenë në sallë kur votohet. Kjo ko mu votu, por është mirë që edhe ju të jeni në sallë dhe ta votojmë bashkërisht. Ju kam thirr dhe do të ju thërras çdo herë, kurdo që kërkoni. Nëse jeni hidhëru pse e kam fillu unë këtë iniciativë, jam i gatshëm t’ia bëjmë qysh doni, por kryesore është që duhet mu votu”, tha Veseli.

Pas deklaratës së kryeparlamentarit, nënkryetarja e Kuvendit Myfera Shinik tha se për vazhdimin e seancës do të njoftojë Kryesia e Kuvendit.

“Për vazhdimin e seancës do të njoftoheni nga kryesia e Kuvendit, Mirupafshim”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, më pas Veseli tha se seanca do ta vazhdojë shumë shpejt.

“Kjo seancë vazhdon shumë shpejt. S’do ketë ketë vendim të kryesisë. Vetëm me pas parasysh”, tha ai.