Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Situata me Specialen Ka Mundur të Ngjallë Frikë te Dëshmitarët

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin për situatën e krijuar rreth përpjekjes për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nismë kjo e filluar nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët me një peticion prej 15 mijë nënshkrimeve iu drejtuan Parlamentit të Kosovës.

Ekspertët e shohin si të rrezikshëm debatin për dëshmitarët e mundshëm që do të paraqiten në Gjykatë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtë Humanitare në Kosovë thekson se nisma në një mënyrë ka ndikuar te dëshmitarët.

“Nuk e di se a ka ndikuar që ata të ndihen më të rrezikuar por sigurisht i ka bërë me u ndi ma keq sepse ishte një lloj kampanje që Gjykata është diçka e keqe, është imponuar nga ndërkombëtarët dhe kushdo që bashkëpunon me të është në njëfarë forme tradhtar dhe punon kundër interesave shtetërore të Kosovës”, tha Blakaj.

Parlamenti i Kosovës nuk mundi ta shfuqizojë Ligjin për Gjykatën Speciale mirëpo a ka ndikuar e tërë kjo situatë në frikësimin e dëshmitarëve të mundshëm të kësaj Gjykate.

Artan Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë së iniciativat e tilla nuk ndikojnë mirë te dëshmitarët.

“Gjithmonë epiteti i tradhtarit në rastet e tilla është i mundshëm. E kemi pa edhe nga e kaluara sidomos kur një shqiptar del me dëshmu kundër një shqiptari atëherë epiteti i tradhtarit është i pamohueshëm që ka me ju jap”, tha Demhasaj.

Emisionin e plotë “Drejtësia në Kosovë” mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

Emisioni trajtoi çështjen e dëshmitarëve, se si mund të ndihen ata pas debatit dhe përpjekjeve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.