Situata alarmante në rrugët e Kosovës, deputeti Abazi kërkon rishikim të planit operacional të Policisë dhe protokolleve rrugore

Të hënën e kësaj jave deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi i ishte drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetit me një letër ku kishte kërkuar që të ketë intervenim dhe prezencë të policisë në mënyrë që të parandaloheshin aksidentet në trafik.

Kjo letër i ishte dërguar Mehmetit një ditë pasi ishin shënuar më shumë se pesë aksidente në komunikacion, në të cilat vdiqën pesë persona.

Të dielën e javës së kaluar Policia e Kosovës kishte njoftuar për pesë persona të vdekur në dy aksidente të ndryshme.

Në njërin aksident një familje katër anëtarëshe kishte vdekur si pasojë e aksidentit që ka ndodhur në rrugën magjistrale Ferizaj – Shtime, ndërsa një person tjetër ka vdekur si pasojë e një vetaksidenti që kishte ndodhur në afërsi të Fushë Kosovës.

Këto aksidente ngritën alarmin nëse policia po monitoron mjaftueshëm rrugët e Kosovës për të parandaluar aksidentet që po ndodhnin.

Pas ditës së diele, të hënën deputeti i LVV-së, Haki Abazi në një letër drejtuar Mehmetit kishte kërkuar që të rishikohen mundësitë rreth rritjes së prezencës së policisë me qëllim të preventivës në akset rrugore në gjithë vendin e sidomos në magjistrale dhe pika me rrezikshmërisë së lartë.

“Ngjarjet e këtij vikendi po jo vetëm, ku si pasojë humbën jetën pesë persona në rrugët e Kosovës brenda një intervali të shkurtër kohor, do duhej që të ngrisnin alarmin edhe si një shenjë reflektimi dhe rishikimi të planit operacional”, thuhet në letrën e Abazit drejtuar Mehmetit.

Sipas Abazit rishikimi i planit do të mund të ishte preventivë për parandalim të aksidenteve dhe zvogëlim të rasteve tragjike të humbjes së jetëve.

Tutje Abazi në letër ka treguar edhe se në rishikim të planit operacional dhe protokolleve rrugore, duhet të hyjnë edhe angazhimi i komunitetit në sigurinë në trafik, hapja e linjës online 24 orë për raportim të rasteve të ngasjes së makinave me shpejtësi të palejuar dhe sjelljeve të rrezikshme të pjesëmarrësve në komunikacion.

“Intervenimi i shpejtë i policisë, vendosja e kontrolleve dhe radarëve digjital në rrugë, shpeshtimi i sinjalizuesve dhe shenjave të rrezikshmërisë, rritja e dënimeve për përdorim të telefonave, kontrollin rutinor të gjendjes teknike të automjeteve”, sipas Abazit do të ishin disa nga masat që mund të rrisnin sigurinë në trafikun rrugor.

Gjithashtu në letrën e Abazit drejtuar drejtorit të Policisë së Kosovës, thuhet edhe se këta të fundit me Ministrinë e Arsimit duhet të intensifikojnë edhe prezencën në shkolla dhe të përgatis manuale edukimi të sjelljes së pjesëmarrësve në trafik që nga mosha e re.

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka organizuar një konferencë për media pikërisht për sigurinë në trafik.

Në të njëjtën konferencë drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti përmendi digjitalizimin e sistemit mbikëqyrës për trafikun rrugor.

Ai madje nuk iu përgjigj saktë pyetjeve të KALLXO.com në lidhje me mungesën e radarëve në Policinë e Kosovës.

Sipas tij Policia është në proces të blerjeve të mjeteve të cilat do të hyjnë në punë për sigurinë në trafik.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit rrugor nënkolonel Jeton Rexhepi, tha dje se viktimat e aksidentit pas një krahasimi ndër vite kanë dalë se janë personat e rinj deri në moshën 30 vjeçare.

Sipas Rexhepit në krahasim me periudhën janar-qershor të vitit 2019, në këtë vit janë shkaktuar 11 aksidente më shumë me fatalitet pra gjithsej 42.

Në këtë vit sipas nënkolonelit Rexhepi numri i personave të vdekur është 13 persona më shumë se sa vitin 2019.

Në vitin 2019 kanë qenë 37 persona të vdekur në periudhën janar-qershor ndërsa në këtë periudhë 50.