Faqja e internetit e KRPP-së | Foto: KALLXO.com

Sistemi i Prokurimit ‘Jashtë Loje’ për Skadim të një Certifikate

Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) njoftoi të enjten ata që kishin planifikuar të publikojnë njoftime rreth tenderëve se këtë gjë nuk mund ta bëjnë deri të hënën.

Autoritetet kontraktuese sipas KRPP-së nuk kishin qasje në sistemin elektronik të prokurimit për shkak të skadimit të lejes së certifikatës SSL.

Certifikata SSL është një certifikatë sigurie të cilën duheta ta kenë të vlefshme të gjitha faqet e internetit ku ka të dhëna personale, pasi kjo certifikatë i mbron ato të dhëna.

“Për të gjitha autoritetet kontraktuese dhe operatorët ekonomikë (palët e interesit), se koha dhe afatet e dorëzimit, hapjet publike të ofertave-njoftimet e të gjitha llojeve shtyhen deri me datë 24.07.2017 koha dhe ora e njëjtë e ditës në të cilën është dashur të ndodhë ngjarja”, thuhej në njoftimin e KRPP-së.

Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) në njoftim sqaronte se nëse dikush kishte planifikuar publikimin e aktiviteteve të prokurimit të premten në një orë të caktuar, ato t’i shtynte të hënën në të njëjtën orë.

“Nëse hapja e ofertave është dashur të ndodhë në orën 14.00 të cilësdo datë në të cilat sistemi nuk ka qenë i qasshëm, afati i ri do të jetë në orën njëjtë të datës jo më herët se 24.07.2017”, sqaron njoftimi.

Sipas KRPP-së nëse planifikohej publikimi i aktiviteteve të prokurimit në orën 15:00 të kohës kur nuk ka funksionuar sistemi, ato aktivitete duhet të shtyhen në një kohë të përshtatshme në kohën kur sistemi do të funksionojë.

Në njoftim KRPP-ja sqaron se pzmundësia e qasjes në sistem nuk lidhej me lëshimet e këtij institucioni.

“Pamundësia në qasje nuk ka të bëjë aspak me funksionimin e platformës dhe/ose me përgjegjësitë dhe autorizimet e KRPP-së por me përgjegjësit dhe autorizimet  të cilat janë pjesë e infrastrukturës e MAP/ASHI-së. Mungesa-skadimi i validitetit të certifikatës për SSL ka shkaktuar pamundësinë e qasjes në sistem dhe e njëjta pritet të rregullohet”, tregoi KRPP-ja në njoftim.

Vitin e kaluar KALLXO.com shkroi për ngecjet e prokurimit elektronik.